Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare, në të cilën pritet të shqyrtohen disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe çështje të tjera.
Në rend të ditës janë tri marrëveshje me Mbretërinë e Suedisë, që kanë të bëjnë me ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Po ashtu, do të shqyrtohet edhe projektligji për ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
Deputetët do të diskutojnë edhe Propozim-Programin e Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026.
Në rend dite është edhe interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Seanca përfshin edhe mocionin përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Seanca do të mbahet në sallën plenare të Kuvendit, duke filluar nga ora 10:00.










