Kryetari i Komunës së Gjilanit ka reaguar pas vrasjes së ndodhur sonte në fshatin Pogragjë, duke bërë thirrje për qetësi, maturi dhe bashkëpunim me organet e rendit.
Në reagimin e tij, kryetari ka shprehur ngushëllime për familjet që humbën të dashurit e tyre në dy ngjarjet tragjike që kanë ndodhur ditët e fundit në komunën e Gjilanit, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.
Ai ka bërë të ditur se nesër në mëngjes do të thërrasë në mbledhje urgjente Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, ku së bashku me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera përgjegjëse do të diskutojnë për hapat e menjëhershëm për garantimin e rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional”, ka theksuar kryetari, duke shtuar se komuna do të bashkëpunojë me organet e sigurisë për menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.
Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për qetësi dhe maturi, si dhe për bashkëpunim të plotë me organet e rendit.










