Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Shefin e Kabinetit Vaxhid Rexhepaj, menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe çertifikimit të rezultateve, kanë filluar angazhimet e para me një takim pune të përbashkët me drejtorët komunal, menaxherët e kontratave, Zyrën e Prokurimit si dhe Drejtorinë për Buxhet dhe Financa.
Ky takim kishte për qëllim progresin e deritanishëm të punëve që janë duke u zhvilluar në kuadër të kontratave aktive të Komunës, të cilat përfshijnë projekte të rëndësishme në fushën e investimeve kapitale, por edhe në atë të furnizimit me mallra dhe ofrimit të shërbimeve.
Gjatë diskutimeve, u shqyrtua dinamika e zbatimit të projekteve në terren, sfidat që janë hasur, si dhe hapat që duhet ndërmarrë për të siguruar përfundimin me sukses të të gjithë projekteve.
Kryetari Rahimaj kërkoi një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet drejtorive dhe koordinim të vazhdueshëm me menaxherët e kontratave, në mënyrë që të mos ketë vonesa në realizimin e projekteve që janë me rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët e Komunës së Kamenicës.
Ai theksoi se vazhdimi i punimeve në terren dhe përfundimi i projekteve sipas afateve të përcaktuara mbetet prioritet i qeverisjes komunale, duke u siguruar që çdo investim publik të përfundojë me cilësi.
Po ashtu, Kryetari kërkoi nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa që të sigurojë përmbushjen e të gjitha obligimeve financiare të komunës ndaj punëkryesve dhe operatorëve ekonomikë, me qëllim që të ruhet partneriteti i drejtë dhe korrekt me të gjitha palët e përfshira në proceset e investimeve.
Në përfundim të takimit, Kryetari Rahimaj shtoi se ky ritëm pune do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se përkushtimi ndaj realizimit të projekteve dhe menaxhimi efikas i buxhetit janë ndër prioritetet kryesore të Komunës së Kamenicës për periudhën në vijim.










