Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se beson se propozimi evropian është bazë e mirë për marrëveshjen me Serbinë dhe se është i gatshëm të bisedojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel, por ka thënë se nuk ka marrë ndonjë argument adekuat për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
I pari i ekzekutivit ka thënë se “nuk e sheh të nevojshëm krijimin e Asociacacionit, por se është i gatshëm për diskutime për të drejtat e komuniteteve joshumicë”.
“Jam gati për bisedime për të drejtat e pakicave, të komuniteteve joshumicë, jam gati për këtë. Por duhet ta kuptoni se është shumë e rëndësishme që ata që duan më shumë të drejta sesa u jep plani i Ahtisaarit, e mbajnë barrën e argumentimit – pse u duhen më shumë. Ahtisaari mori çmimin Nobel për Paqe, çfarë do ta plotësonte planin e Ahtisaarit, cilat janë argumentet për të metat e tij. Barra e argumentit duhet të jetë mbi ata që kërkojnë diçka tjetër apo diçka më shumë”, tha Kurti për RTK2.
Tutje Kurti ka treguar se kur e ka parë propozimin e njohur më parë si ‘franko-gjerman’ dhe ka thënë që nga atëherë kanë negociuar për arritjen e marrëveshjes.
“Të jem plotësisht i qartë, sigurisht edhe i sinqertë, më 9 shtator e kam lexuar atë propozim, por nga ‘iPad’-i i Lajçakut, nuk kam pasur dokument me shkrim. Ishin së bashku me Jens Plotner dhe Emmanuel Bonn, të dërguarit nga Parisi dhe Berlini. Unë menjëherë e kam vërejtur se më në fund kemi një propozim për marrëveshje”, ka shtuar kryeministri Kurti.