Kreyministri në detyrë, Albin Kurti, në konferencën për media e ka quajtur situatë të re refuzimin e emrit të kandidatit për President, Bekim Sejdiun, për të cilin u dakorduan me kryesinër e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga gjashtë deputetët e kësaj partie, shkruan Gazeta Metro.
“Patëm një mbledhje me GP-në e VV-së, me ç’rast të gjithë e mirëpritën procesin negociator të zhvilluar me LDK-në dhe marrëveshjen që kemi arritur me emrin e përveçëm të kandidatit të përbashkët, me atributet e larta, profesor Bekim Sejdiun. Unë isha shumë i lumtur që mbështetja ishte e plotë nga të gjithë deputetët e Grupit tonë Parlamentar për Bekim Sejdiun si President i Republikës së Kosovës. Natyrisht që kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të kohëve të fundit, ku, në njërën anë, ishte shpresëdhënës qëndrimi i Kryesisë së LDK-së, por, në anën tjetër, patëm edhe njoftimin negativ që 6 deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja nuk e mbështesin Sejdiun për President të Republikës.”, u shpreh Kurti.
Ai tutje paralajmëroi takime të radhës me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun.
“Kjo është një situatë e re që kërkon, në njërën anë, që unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe të rikthehemi në Kryesinë e VV-së për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet ta ndjekim përpara”, tha ai.
Ai e konsideroi si absurd qëndrimin e deputetëve që u shprehën kundër Sejdiut.
“Për bindjen time të fuqishme, por edhe të gjithë deputetëve që ishin të pranishëm sot në këtë mbledhje, konsiderojmë të papërgjegjshme, të dëmshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre 6 deputetëve, ku, pas 3 palë zgjedhjeve, duket se ka dëshirë, vullnet e interes të shkojmë në zgjedhjet e katërta për më pak se 2 vjet.Qytetarët kanë folur edhe më 9 shkurt, më 28 dhjetor të vitit 2025, kanë folur edhe më 7 qershor 2026. Nuk do të duhej që, pa arsye, pa nevojë, përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që janë të dëmshme për stabilitetin institucional, për funksionimin demokratik, por njëkohësisht edhe për buxhetin e shtetit”, deklaroi Kurti./gazetametro.net










