Kryeministri Albin Kurti i ka sulmuar sërish mediat sot, edhe pasi u nominua nga VV-ja si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e reja. Kurti ka vazhduar me gjuhën e tij kundër mediave të Kosovës, duke i akuzuar se po ia mbajnë anën Serbisë.
Sulmin e Kurtit ndaj mediave, e ka shpërndarë Lëvizja Vetëvendosje në faqen e saj.
“Kush i sheh portalet apo debatat televizive, patjetër që befasohet. Shpesh edhe emisionet e lajmeve janë të mbushura me keqdashje. Si ka mundësi që gjithë këto të pavërteta për Kosovën, gjithë këto shpifje për njerëzit tanë, gjithë ky vrer kundër Vetëvendosjes të shpërndahet kësisoj publikisht. Kurrë nuk kanë qënë më shumë medie kaq shumë kundër qeverisë, sesa në katërveçarin tonë”, sulmon ndër të tjera Kurti mediat.
“Ata që për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj”, bëri thirrje kundër mediave Kurti.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili e ka dënuar gjuhën e Kurtit ndaj mediave.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shfrytëzuar mbledhjen e partisë së tij, Vetëvendosje, ku është nominuar për kryeministër, që të shënojë një tjetër sulm të papranueshëm kundër medieve”.
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias”, thuhet në reagimin e AGK-së.