Në Vjenë të Austrisë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim bilateral me kancelarin e Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker, në prag të Forumit Ekonomik të Vjenës.
Në një intervistë për RTK-në, Kurti tha se Austria mbetet një nga aleatet më të rëndësishme të Kosovës dhe një mbështetëse e vazhdueshme e integrimeve evropiane të vendit.
Ai e falënderoi kancelarin Stocker për përkrahjen e Austrisë ndër vite, duke kujtuar se Austria ishte shteti i parë që njohu diplomat e Universiteti i Prishtinës në fillim të viteve ’90 dhe se ka ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme, nga siguria dhe demokratizimi deri te arsimi dhe integrimet evropiane.
Kurti theksoi se Kosova e sheh Austrinë si një partner serioz dhe mik të qëndrueshëm, me të cilin synon të thellojë bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe shkëmbimet tregtare. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen austriake për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshilli i Evropës.
“Unë gjithashtu shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e Austrisë sa i përket përpjekjes së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, për çfarë ne i kemi përmbushur të gjitha obligimet dhe madje e kemi realizuar me sukses votimin me mbi 82% në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Tash vetëm ka ngelur që Kosova të futet aty në agjendë dhe të bëhet një ditë anëtare”, theksoi Kurti.
Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Kurti kërkoi që, pas heqjes së masave të Bashkimit Evropian, vendi të avancojë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai tha se, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës, Kosova po promovon mundësitë për investime në projekte strategjike, përfshirë hekurudhat, digat, gazifikimin, stadiumet, turizmin në Brezovica dhe Rugova, si dhe projekte në sektorin e ujërave dhe mbrojtjes së mjedisit. Sipas tij, përvoja dhe afërsia e Austrisë e bëjnë atë një partner të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

