Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron “se Kosova është duke bërë lëvizje të njëanshme”, ka thënë se si qeveri janë duke vendosur sundim të ligjit e rendit publik, si dhe duke siguruar paqe e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime.
Ai ka thënë se në këtë aspekt duan bashkëpunim të ngushtë edhe nga ndërkombëtarët, duke përfshirë edhe Francën, për të cilën ai tha se e konsideron vend mik, aleat e partner shumë të rëndësishëm.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallime. Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen ndërkombëtare, duke përfshirë këtu natyrisht edhe Francën, të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat, e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE, edhe në NATO”, ka thënë ai.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Macroni e nisi një vizitë dyditore në Beograd të enjten, ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë “Rafale”. /EO