Duke komentuar incidentin e hedhjes së vezëve ndaj tij në Kuvend, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm ta paguajë edhe këtë “çmim”, nëse kjo do të mundësonte dialogun ndërmjet partive politike.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputet është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe të bisedojnë bashkë e të dialogojnë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë thirrje që liderët politikë të ulen dhe të bisedojnë për zgjidhjen e situatës institucionale.
“Vetëm le të vijnë në takim. Vetëm le të ulemi e le të bashkëbisedojmë. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, unë ankohem që ata s’duan të takohen”, ka shtuar Kurti.

