Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është duke vazhduar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa gjatë qëndrimit në Michigan ka takuar bashkatdhetarët që punojnë në këtë shtet.
Kurti vlerësoi kontributin e mërgatës në shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e Kosovës, për ndihmën në financimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në vitet e ’90-ta, pasuar me luftën çlirimtare të vitit 1999 dhe me përpjekjet për rindërtim të pasluftës.
Duke vlerësuar rolin e mërgatës sonë, kryeministri theksoi se në programin qeverisës mërgata llogaritet si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës.
“U bisedua për mundësitë dhe potencialin për zhvillim të partneritetit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, gjë që synohet të arrihet nëpërmjet dialogut me mërgatën” thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.