Çmimet e naftës u hodhën mbi 85 dollarë në tregjet ndërkombëtare sot, të nxitura nga shpresat se Kina mund të lehtësojë masat e rrepta për të luftuar COVID-19 pas protestave.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte me 1.95 dollarë më i lartë se në mbylljen e tregtisë së djeshme dhe arriti në 85.14 dollarë. Në tregun amerikan, një fuçi u tregtua me 1.51 dollarë më shumë, me 78.75 dollarë.
Tregtarët po vëzhgojnë me vëmendje goditjen e COVID-19 në Kinë, importuesi më i madh i naftës në botë, pasi frenon aktivitetin ekonomik dhe kërkesën për energji.
Zyrtarët kinezë të shëndetësisë njoftuan të martën një vaksinim të përshpejtuar të të moshuarve për të hequr një pengesë kryesore për lehtësimin e politikës së rreptë jopopullore të “tolerancës zero për Covid-19”.
“Mundësia që importuesi më i madh i naftës në botë të kthehej në normalitet ishte i mjaftueshëm që çmimet e naftës të rriteshin dhe të bënin një rikuperim të konsiderueshëm për herë të parë në dy javë”, tha analisti Ricardo Evangelista i ActivTrades.
Çmimet u mbështetën gjithashtu nga spekulimet se prodhuesit kryesorë mund të ulin prodhimin, duke pasur parasysh kërkesën e dobësuar në Kinë, sipas një vlerësimi nga analistë të Eurasia Group të hënën.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj, përfshirë Rusinë, do të diskutojnë politikën e prodhimit në një takim të planifikuar për 4 dhjetor.
Në fillim të muajit, grupi tashmë ka nisur të reduktojë prodhimin, me dy milionë fuçi në ditë krahasuar me nivelet e planifikuara, sipas vendimit të mbledhjes së tetorit. Tregjet po përpiqen gjithashtu të përcaktojnë pasojat e kufizimeve të fundit perëndimore mbi çmimet e naftës ruse.
Diplomatët nga grupi i shtatë vendeve më të zhvilluara në botë (G7) dhe Bashkimi Evropian diskutuan kufizimin e çmimit të një fuçie në 65 dhe 70 dollarë në mënyrë që të kufizohen të ardhurat e Moskës për të financuar ofensivën ushtarake në Ukrainë dhe në të njëjtën kohë të shmangin ndërprerje në tregjet globale të naftës.
Por qeveritë e BE-së nuk arritën të bien dakord se cili duhet të jetë kufiri të hënën, me Poloninë që këmbëngul se ai duhet të jetë më i ulët se ai që propozon G7, sipas burimeve diplomatike.
Çmimet duhet të kufizohen nga 5 dhjetori, kur hyn në fuqi ndalimi i Bashkimit për importin e naftës ruse nga anijet.
Në një raport të veçantë, OPEC njoftoi se një fuçi e shportës së naftës të anëtarëve të tij ra 3.87 dollarë në 79.93 dollarë të hënën.