Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pranojnë se ditëve të fundit kanë përafruar qëndrimet e tyre, në radhë të parë, siç thonë, për ndaljen e keqqeverisjes aktuale.
Deputeti Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se me Vetëvendosjen kanë kontakte më të shpeshta. Këto kontakte, sipas tij, vijnë edhe si rrjedhojë e përafrimit të Partisë Socialdemokrate me partitë në pushtet.
Beqiri thekson se qëllimi kryesor është që “të ndalet e qeverisja e keqe” dhe të shkohet sa më shpejt në zgjedhje.
“Kjo është e vërtetë, për këto probleme që i kemi aktualisht rreth qeverisjes aktuale, rreth koalicionit dhe problemet që i kemi në raport me dialogun me Serbinë. Qëndrimi ynë karshi sjelljes së presidentit (Hashim Thaçi), karshi Ekipit negociator – i cili është thjesht është një servis i Thaçit – për këto qëndrime kemi përafrim dhe afërsisht mendime të njëjta, me nuanca që normalisht mund të kemi edhe ndonjë dallim. Kjo është esenciale tash për tash, ndërkaq për të tjerat mbetet për më vonë të shihet sepse është shumë e qartë që ne kemi afri”, tha Beqiri, shkruan REL.
Beqiri, nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen LDK të ketë një bashkëpunim (koalicion) për qeverisje me Vetëvendosjen, por edhe me ndonjë subjekt tjetër politik.
“Sot nuk mund të them për çështje të koalicioneve se çka do të ndodhë më vonë. Është çështje e përcaktimeve dhe orientimeve edhe programore, por edhe e vendimeve të strukturave të partisë. Sigurisht, me kohë ne do të flasim për të gjitha të mundshmet – bashkëpunimet (me partitë) me të cilët mundemi dhe nuk mundemi në të ardhmen të qeverisim.
Qëllim kryesor e kemi që të ndalet e keqja, të shkohet sa më shpejt në zgjedhje dhe pastaj me kohë do të marrim qëndrime konkrete se çka do të ndodhë dhe se kush me kë do të qeverisë”, tha Beqiri.
Ai shton se LDK-ja, dallon prej subjekteve tjera. Sipas tij, LDK ka dallime programore edhe me Vetëvendosjen, andaj këto dallime, siç shprehet ai, kërkojnë kohë që të përafrohen dhe të ndryshohen.
Edhe deputetja, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli – Dalipi, tha për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht ekziston një bashkëpunim më i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ky bashkëpunim, sipas saj, ka të bëjë me qëllim të ndaljes, siç tha ajo, të veprimeve të rrezikshme që është duke i ndërmarr Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Të dy partitë konsiderojmë se bashkëpunimi ynë është jetik për të ndalur presidentin dhe për të mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës. Prandaj, në kemi filluar një bashkëpunim të tillë dhe pajtohemi në shumë pika që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë – Serbi dhe hapat që duhet t’i ndjekë Kosova”, tha Pacolli – Dalipi.
Kurse, sa i takon përafrimit të qëndrimeve për ndonjë koalicion të mundshme në mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, Pacolli-Dalipi tha se kjo çështje paraprakisht duhet të diskutohen në organet e partive politike, gjë që sipas saj, nuk ka ndodhur.
“Në Lëvizjen Vetëvendosje ne së pari diskutojmë me anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, në organet tona dhe pastaj hymë në diskutime për të arritur diçka tjetër, për të shkuar qoftë drejt një koalicioni parazgjedhor. Tash për tash bashkëpunimi ynë është që të ndalet presidenti i Kosovës i cili ka filluar një aventurë të rrezikshme”, tha ajo.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë njoftuar se kryetarët e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, kanë vlerësuar se “negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik”, si dhe që “negocimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë