Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar kërkesë në Kryesi të Kuvendit për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme lidhur me largimin e të rinjve nga Kosova.
Deputeti nga radhët e kësaj partie Fidan Rekaliu, ka njoftuar se janë 41 deputetë nënshkrues që kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për debat parlamentar për temën “Zbrazja e vendit nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset Kosovës pas luftës”.
“Raportet e fundit tregojnë për rritje të numrit të qytetarëve të Kosovës të cilët po dëshirojnë të largohen nga vendi. Andaj për të diskutuar për këtë çështje, me përkrahjen e edhe të kolegëve të tjerë deputetë kemi inicuar debat parlamentar me temën “Zbrazja e vendit nga të rinjët, si rreziku më i madh që i kanoset Kosovës pas luftës”. Ky është një shqetësim që na preokupon të gjithëve, andaj shpresoj që të adresohet sa më fuqishëm në mënyrë që të bëjmë presion te Qeveria e Kosovës për të hartuar plane dhe strategji konkrete për përmirësimin këtë gjendje” ka shkruar Rekaliu.
Kërkesa për këtë seancë vjen pas publikimit të raportit Europian të Statistikave, ku thuhet se Kosova ka rënien më të madhe të popullsisë në kontinent.