Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka mbajtur një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e kësaj partie në mërgatë.
Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se i ka njoftuar për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat, sipas tij, fatkeqësisht kanë dështuar, përkundër vullnetit maksimal dhe kërkesave minimale të partisë.
Ndër të tjera, Abdixhiku njofton se është dakorduar për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë.
Postimi:
Në vijim të zhvillimeve të fundit, dhe në përgatitje për hapat e ardhshëm, mbajtëm një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e LDK-së në mërgatë.
I njoftova për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat fatkeqësisht dështuan, përkundër vullnetit tonë maksimal dhe kërkesave tona minimale – veç demokraci. Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe per Lidhjen.
Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët.
U dakorduam për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë. Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë.
Koha për pritje ka përfunduar.
Koha për veprim ka nisur.

