Procesi i rekrutimit të mësimdhënësve në Gjilan po shoqërohet me një çështje serioze që DKA dhe drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, duhet ta sqarojnë publikisht.
Fjala është për emërimin e Burim Sadikut si kryetar të Komisionit Përzgjedhës.
Çështja nuk është personale. Çështja është: a i ka plotësuar ai kriteret ligjore për të ushtruar këtë përgjegjësi?
Rregullorja QRK Nr. 19/2024, në dispozitën që përcaktonte përbërjen e komisionit, e lidh pozitën e kryetarit me një person “nga radhët e zyrtarëve të arsimit në nivel komune”.
Pra, nuk bëhet fjalë thjesht për një person që punon në DKA. Bëhet fjalë për një kategori të përcaktuar – zyrtar të arsimit në nivel komune.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi.
Burim Sadiku, sipas pozitës së tij të rregullt, është sekretar në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti”. Ndërsa në DKA ushtron detyrën e U.D. të Udhëheqësit të Zyrës për Punë Juridike dhe Personel.
Atëherë, pyetja është e pashmangshme:
Mbi cilën bazë ligjore është konsideruar Burim Sadiku “zyrtar i arsimit në nivel komune” dhe mbi këtë bazë është emëruar kryetar i Komisionit Përzgjedhës?
Një detyrë e përkohshme në një zyrë të DKA-së nuk duhet të barazohet automatikisht me statusin e zyrtarit të arsimit në nivel komune.
Sidomos kur në kuadër të DKA-së ekzistojnë zyrtarë të arsimit përgjegjës për nivele të ndryshme të arsimit, kërkohet një shpjegim edhe më i qartë:
Pse është zgjedhur Burim Sadiku për të kryesuar këtë komision dhe jo një zyrtar që ushtron pozitë të rregullt në fushën e arsimit në nivel komune?
Ne nuk kërkojmë interpretime politike.
Kërkojmë dokumentet.
DKA duhet të publikojë:
* aktin me të cilin është formuar Komisioni Përzgjedhës;
* aktin me të cilin Burim Sadiku është caktuar kryetar;
* bazën ligjore të këtij emërimi;
* pozitën e tij të klasifikuar në strukturën institucionale;
* përshkrimin e vendit të tij të punës;
* dhe bazën mbi të cilën është konstatuar se ai e plotëson kriterin për të qenë kryetar i komisionit.
Sepse, nëse një person nuk e plotëson kriterin e përcaktuar për kryetar, atëherë nuk mund të anashkalohet ky kriter vetëm përmes një emërimi të përkohshëm.
Kjo bëhet edhe më serioze kur kemi të bëjmë me një komision që vendos për punësimin e mësimdhënësve në arsimin publik.
Kandidatët kanë të drejtë të dinë:
Kush i ka vlerësuar? Kush e ka kryesuar komisionin? Dhe mbi çfarë baze ligjore?
Prandaj, Alban Hyseni dhe Jeton Rexhepi duhet të japin përgjigje konkrete, jo politike.
Nëse ekziston baza ligjore për këtë emërim, le ta publikojnë.
Nëse nuk ekziston, atëherë duhet të shpjegohet pse një proces kaq i rëndësishëm është lejuar të zhvillohet nën një komision me përbërje të diskutueshme ligjërisht.
Transparenca fillon aty ku pushteti nuk ka frikë t’i publikojë dokumentet.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun
LDK – Gjilan
07.09.2026










