FC Drita ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin në skuadër të portierit Leutrim Rexhepi, me të cilin është arritur një marrëveshje njëvjeçare për sezonin e ri.
Rexhepi, i cili së fundmi ishte pjesë e KF Ferizaj dhe më herët i Dinamos, rikthehet te klubi me të cilin ka shkruar historinë. Ai ishte një nga figurat kyçe në sukseset e vitit 2018, kur FC Drita fitoi kampionatin e Kosovës dhe Superkupën, duke vulosur një prej sezoneve më të suksesshme në historinë e klubit.
Me këtë rikthim, FC Drita forcon më tej repartin e portës, duke sjellë përvojë dhe stabilitet në skuadër.
“Paç fat, Leo! 🤍”, shkruan klubi në prezantimin e tij zyrtar.
Ky transferim shihet si një hap i rëndësishëm në përgatitjet e Dritës për sfidat e sezonit të ri dhe garat ndërkombëtare që e presin klubin.