Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar interpelancë mbi heqjen e masave të reciprocitetit së Kosovës ndaj Serbisë duke kërkuar rivendosjen sa më parë.
“Reciprociteti është parim ndërkombëtar që bazohet në barazinë midis shteteve. Republika e Kosovës me shpalljen e pavarësisë ka subjektivitet ndërkombëtar dhe dokumentacioni apo çdo formë tjetër ndërveprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të jetë ndryshe përpos se reciproke”, thuhet në deklaratën e VV-së.
“Barazia është parakusht, kurse reciprociteti definon shtetësinë e Kosovës në raportet me të tjerët, e sidomos me Serbinë. Është obligim shtetëror e kushtetues, përveçse në interes të shtetit që qytetarët, ndërmarrësit dhe profesionistët të trajtohen barabarësisht e pa paragjykime”.
Vetëvendosje thotë se heqja e masave të reciprocitetit, është heqje dorë nga subjektiviteti shtetëror, kurse “lejimi nga Qeveria e paligjshme dhe jolegjitime i emërtimeve jo kushtetuese në kohën përkundër se kishte filluar të respektohej emërtimi kushtetues Republika e Kosovës, është zmbrapsje e dëmshme politike dhe tregtare për shtetin e Kosovës”.