Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë të ditur se partisë së tij i është bashkuar subjekti politik Forumi i Intelektualëve.
Limaj e ka cilësuar këtë si lajm të jashtëzakonshëm për partinë e tij.
Ai u shpreh se pjesë e këtij subjekti janë pesë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Po e vazhdojnë jetën e tyre politike dhe kanë zgjedhur të jenë në Nismën Socialdemokrate. Nisma të dielën e ka Kuvendin e vet zgjedhor, e tani e tutje do të jemi një në Nismën Socialdemokrate”, ka thënë Limaj.
Artan Nimani, i cili ishte kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma, tha se bashkimi me Nismën është në vazhdën e bashkëpunimit të mëhershëm.
“Kemi vendosur që të vazhdojmë rrugëtimin tonë politik duk u strukturuar në një forum politik. Kemi zgjedhur një subjekt që është në ndërtim. Me të vetmin qëllim, që objektivat tona të bëjnë pjesë programore të kësaj shtëpie tone të përbashkët. Obligimi ynë moral, kombëtar dhe nacionale është që ai na ka detyruar të jemi aktivë”, ka shtuar ai.
Nimani e cilësoi Nismën parti të së ardhmes “dhe do ta marrë pjesën që i takon”.
Limaj e quajti partinë e tij “serioze dhe të pjekur politikisht”. “Kjo sot konfirmon atë që po them, se dalëngadalë në Kosovë po vjen e do të vjen e do të mbështetet zëri nacional”.