Edhe Përlepnica e Xhavit Ahmetit e Zija Shemsiut i ka dhënë mbështetje rekorde kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij, artistja Mika Bajrami – Haziri, sikurse edhe kandidatëve për Asamble Komunale, Gresa Avdiu e Fitim Sylejmani, për zgjedhjet e 17 tetorit, në takimin e bashkëbisedimit ku morën pjesë edhe kryefamiljarët e Kmetocit, Shillovës e Verbicës së Kmetocit.
Në këtë takim, vizionit të Lutës për Gjilanin zhvillimor i është bashkangjitur edhe ish-nënkryetari dhe ish-zëvendësministri, Rexhep Kadriu.
“Sonte jam i nderuar që jam në mesin tuaj. Arsyeja pse kam dal në krah të Lutfi Haziri është se e ka transformuar Gjilanin. Ndërsa, nëse e konstruktoni çështjen në Përlepnicë, analizojeni se qysh ka qenë ky fshat para tetë vjetësh dhe qysh është transformuar sot. 40 rrugë janë ndërtuar këtu, përfshirë edhe rrugën te penda, u rindërtua Shtëpia e Kulturës, terrenet sportive, trotuaret, ndriçim publik e investime të tjera. Krejt këto i ka bërë Lutfi Haziri. Asnjë kërkesë që ia kam dorëzuar në tavolinë për Përlepnicën, nuk e ka refuzuar. Pra, ato që i premton, i realizon. Jam i lumtur që i jam bashkuar vizionit të Lutës për Gjilanin zhvillimor në të gjitha sferat”, ka thënë Kadriu.
Gjatë adresimit para të pranishmëve, kandidatja Gresa Avdiu ka falënderuar kryetarin Hazirin për të gjitha investimet që i ka realizuar në këtë fshat, duke ua bërë jetën e dinjitetshme.
E kryetari Haziri ka shprehur falënderime të përzemërta për besimin e madh ndaj tij dhe LDK-së.
“Falëmnderit Përlepnicës së Xhavit Ahmetit e Zija Shemsiut që sonte ma dhatë fitoren mua si kryetari juaj. Falëmnderit ish-nënkryetarit dhe ish-zëvendësministrit, mikut tim Rexhep Kadriu, që iu bashkua vizionit të LDK-së për Gjilanin zhvillimor. Përlepnica mbetet vend i rezistencës e kryengritjes së shqiptarëve për liri e pavarësi. Sa i përket projeksionit të investimeve, shtrati i lumit do të ndërtohet derisa Përlepnica do të shpallet Eko-fshat, pa e harruar edhe pendën që do të bëhet vend rekreacioni. Falëmnderit pafund për besimin e madh ndaj meje dhe LDK-së. Do të mbetem gjithmonë, Luta Juaj”, ka thënë kryetari Haziri.
Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe shefi i Shtabit Zgjedhor, Arbër Ismajli dhe dy deputetet, Valentina Bunjaku – Rexhepi e Lirije Kajtazi.
Ndryshe, takimi u karakterizua edhe me gjestin e gjyshit të Gresa Avdiut, i cili ia dorëzoi shallin e parë me emblemën e LDK- së të vitit 2000 mbesës së tij (gjenerata e tretë e LDK-së), gjest ky që përloti jo pak njerëz.