Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze.
Kryetari Haziri e ka falënderuar ambasadorin Bencze për vizitën, duke njoftuar se gjatë takimit kanë biseduar për disa aspekte të bashkëpunimit në të ardhmen.
“Ambasadori i shtetit mik, Hungarisë, z. Bencze e ka vizituar fillimisht Universitetin “Kadri Zeka”, në vitin e Kadri Zekës, duke na bërë nder të gjithëve, duke prezantuar programin për studentët për të studiuar në universitetet të Hungarisë. Unë e njoftova ambasadorin për zhvillimet pozitive në Gjilan. Besoj që do të takohemi shumë shpejt për t’i zhvilluar programet tona të përbashkëta në nivel komunal”, tha Haziri.
Ndërkaq, ambasadori i ri i Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen e ngrohtë, derisa konfirmoi se kanë bashkëbiseduar për bashkëpunimin në disa programe, në aspektin ekonomik, të edukimit e të kulturës.