Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, po merr pjesë në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026, ku sonte përballen dy gjigantët e futbollit botëror, Spanja dhe Argjentina.
Ademi ndodhet në këtë ngjarje historike me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke përfaqësuar futbollin e Kosovës në spektaklin më të madh sportiv në botë.
Përmes një postimi, kreu i FFK-së e cilësoi pjesëmarrjen në finalen e Botërorit si një privilegj të veçantë, duke vlerësuar organizimin e FIFA-s dhe rëndësinë që futbolli ka në bashkimin e njerëzve nga e gjithë bota.
“Sonte jam i pranishëm në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026, ku përballen dy superfuqi të futbollit, Argjentina dhe Spanja. Është privilegj të jesh pjesë e këtij spektakli të jashtëzakonshëm, ku festohet loja më e bukur në botë”, ka shkruar Ademi.
Ai gjithashtu përgëzoi FIFA-n për organizimin e suksesshëm të turneut, duke theksuar se Kampionati Botëror dëshmoi edhe një herë fuqinë e futbollit për të bashkuar popuj, kultura dhe kombe në një skenë të vetme.
Në fund, presidenti i FFK-së u uroi të gjithë tifozëve anembanë botës një finale spektakolare, plot emocione dhe futboll të nivelit më të lartë.

