Ministri i Sporteve, Hajrulla Çeko, foli në Kuvendin e Kosovës për stadiumin e Gjilanit që ka mbetur tash e sa kohë i pandërtuar.
Tifozët e Dritës dhe Gjilanit kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësinë e tyre me stadiumin aktual në Gjilan, por edhe me punimet e deritashme për stadiumin e ri.
Në derbin e fundit mes tyre, e që është derbi më i zjarrtë lokal në Kosovë, ata udhëtuan drejt Prishtinës.
Por, çka u tha sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës?
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, u zotua se do ta shtonte dinamikën e punëve ndërsa deklaroi që dinamika e deritashme e punimeve do të nënkuptone se edhe të paktën 20 vjet gjilanasit do të mbeteshin pa stadium.
“Stadiumi i Gjilanit është një ndër problemet ma të mëdhaja në infrastrukturën sportive, çfare e kemi gjetë në Ministrinë e Sportet. Me dinamikën e punimeve dhe realizimit të pagesave nga viti 2017 sa është nënshkru si kontratë, nëse vazhdon e njëjta dinamikë, na duhen të paktën edhe 20 vite për ta realizu atë projekt. Por, ne e kemi shtu buxhetin. Dhe do të bëjmë më të mirën që stadiumi i Gjilanit të përfundojë brenda këtij mandati.” – u shpreh z. Çeko