Ministri letonez i Punëve të Jashtme, Krisjanis Karins, ka deklaruar se s’ka konsensus brenda ministrave të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
Ai është shprehur në Sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku ishin prezentë edhe deputetë të Kuvendin të Kosovës, se Letonia e përkrah anetarësimin e Kosovës, por sipas tij, duhet ende “të kemi përshtypje të ngjashme” nga shtetet e tjera anëtare.
“Në lidhje me sulmet terroriste, të 24 shtatorit 2023, realiteti është që në tavolinën e ministrave të Këshillit të Evropës nuk ka konsensus. Po ashtu akoma nuk ka konsensus në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja e kësaj Asambleje është opinioni duhet t’i paraqitet Këshillit, meqë ne në Këshill të Ministrave, në lidhje me shumë çështje, përfshirë edhe këtë, operojmë mbi baza konsensuale”, ka deklaruar ai.
Për sulmet serbe në veriun e Kosovës, i pyetur nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, Karins është shprehur se nëse vërtetohet se ka pasur përfshirje nga jashtë, kjo do ta bëjë “edhe më shqetësuese situatën”.
“Do të theksoja që pikëpamja ime si ministër i Punëve të Jashtme të Letonisë, është që natyrisht të ndërmerret hetimi, dhe nëse del të jetë e vërtetë që ka pasur përfshirje nga jashtë, si sulm i organizuar nga një shtet, apo vet shteti, kjo e bënë edhe më shqetësuese. Vendi im e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ne e përkrahim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Bashkimin Evropian, si demokraci, por 34 nga ne në këtë Këshill duhet gjithashtu të kemi përshtypje të ngjashme, si dhe 12 që nuk janë këtu. Pra është një proces, dhe si ministër i Punëve të Jashtme të Letonisë, do të vazhdoj në këtë proces, përderisa në presidencën e Këshillit të Evropës, do të vazhdoj të punoj në këtë drejtim”, ka shtuar tutje ai.