Ministria e Mbrojtjes: Nëse na kërkohet nga SHBA, FSK është e gatshme të përfshihet në operacione ushtarake
Pas sulmeve të vazhdueshme të Rusisë, kundrejt Ukrainës, ka reaguar Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.
Nga ministria e Mbrojtjes e Kosovës kanë deklaruar se nëse kërkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ata do të ofrojnë kapacitetet operacionale të FSK-së në operacionet e mundshme.
“Në anën tjetër, nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme. Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Më tutje nga kjo ministri kanë kërkuar që ShBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.
“Duke pasur parasysh, kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë shumë seriozizht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj, është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë”, thuhet më tutje në njoftim.