17 mjekë dhe infermierë, pjesë e grupit të personelit shëndetësorë në Viti të vetizoluar për shkak të koronavirusit ende nuk janë testuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për të ditur se a janë të infektuar.
Drejtori i Shëndetësisë në Viti, Basri Aliu tha për Plus Tv, se personeli mjekësor ende nuk është testuar për koronavirus.
Sipas tij, ata pas qëndrimit disa ditë në QKMF, janë transferuar nëpër shtëpitë e tyre ku do ta vazhdojnë vetizolimin derisa të merret vesh se a janë të infektuar.
Sipas Aliut, askush nga ky stafi mjekësor nuk ka shfaq simptomat të koronavirusit deri tash, por duhet pritur të paktën katërmbëdhjetë ditë.
“Gjendja shëndetësore e tyre është e mirë, ata janë ende në vetizolim pasi kanë pasur kontakt me 77-vjeçarin nga Stublla që doli pozitiv me koronavirus. Stafi janë kthyer në shtëpi pas disa ditësh vetizolim në QKMF- nga atje do të vazhdojnë vetizolimin, duhet pritur të paktën katërmbëdhjetë ditë, me u shfaq simptomat e para, deri tani asnjëri s’ka simptoma të virusit. Jemi në bisedime me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për tu testuar personeli ynë shëndetësor”, tha drejtori në mes tjerash.
Ndërkohë, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë thënë për media se ata do të testohen kur të vijë koha.
Drejtori i Shëndetësisë në Viti, ka thënë se kanë nevojë për pajisje mbrojtëse për personelin shëndetësor aktiv derisa ka thënë se ka rënë dukshëm numri i qytetarëve që kërkojnë shërbime shëndetësore primare në Qendrën e Mjekësisë Familjare për shkak të frikës nga përhapja e koronavirusit.
Ai tha se brenda ditës deri 60 qytetarë kërkojnë shërbime.
Pas rastit të 77-vjeçarit me koronavirus nga fshati Stubëll i cili fillimisht u trajtua në QKMF, Vitia sot është në ditën e gjashtë nën karantinë. Në këtë komunë deri më tash ka 7 raste të konfirmuara me koronavirus gjendja shëndetësore e të cilëve raportohet se është stabile.
Nga fshati Stubëll që është fshati i parë në karantinë, kanë bërë të ditur se nuk ka banorë tjerë me simptoma të koronavirusit./Plus Tv/