Në veri të vendit janë djegur tri vetura të cilat janë kthyer në targa RKS.
Vetura e tretë sipas burimeve të teve1.info është djegur mëngjesin e sotëm në Leposaviq.
E zëdhënjsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi për teve1.info ka thënë se propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë edhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara për të frikësuar qytetarët serb që jetojnë në veri.
Ajo ka thënë se vetura e parë që është djegur është e një rreshteri policor të Kosovës, i cili e ka bërë kthimin e targave në RKS, të cilit po ashtu i është sulmuar shtëpia dhe i është djegur një pjesë e saj, shkruan teve1.info
Po ashtu në Zveçan një qytetari serb iu dogj depo pasi ai kishte regjistruar veturën e djalit në RKS.
“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentit e Serbisë Vuciq dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri. Fatkeqësisht, kemi tri raste në veri të vendit, të shoqëruar me incidente. Vetura e parë që është regjistruar në veri, e një rreshteri policor të Kosovës i cili ka bërë kthimin e veturës në targa RKS, të njëjtit në orët e mbrëmjes i është sulmuar shtëpia dhe i është djegur një pjesë e saj. Poashtu, në Zveçan një qytetari serb iu dogj depo pasi ai kishte regjistruar veturën e djalit të tij, dhe së fundmi, edhe një tjetër qytetar, banor i komunave në veri, pasi ka bërë regjistrimin e veturës së tij mbrëmë iu dogj vetura”, tha Fetoshi.
Tutje ajo për teve1.info tha se këto grupe ilegale ekstremiste tashmë nuk kufizohen vetëm në shkelje të sovranitetit në veri por ata shtypin qytetarët dhe vulllnetin e tyre dhe kjo është bërë pengesë për jetën e përditshme të qytetarëve atje, të cilët çfarëdo pajtueshmërie të qytetarëve për tu legalizu në jetën e përditshme i përgjigjen me presione, kërcënime, dhunë dhe sulme.
Ndyshe, Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të shtyhet afati për targat për 10 muaj, e kryeministri Kurti ka thënë se 31 tetori mbetët data e fundit, por ka shtuar se kërkesat e ndërkombëtarëve si Qeveri i marrin shumë seriozisht.
Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani në lidhje me këtë çështje ka thënë se gjithçka që vjen nga miqtë është sugjerim e jo presion. Ajo është shprehur e bindur se do të gjendet një zgjidhje që do të jetë në përputhje me rendin dhe ligjin, ku sipas saj qytetarët serbë nuk do të ndihen të kërcënuar dhe as të frikësuar./teve1.info/