Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës, njofton se në mesin e viktimave nga tërmeti që ka goditur Turqinë nuk ka asnjë shtetas kosovar.
Sipas njoftimit të MPJD-së, Ambasada e Kosovës në Ankara, që nga data 6 shkurt kur ka ndodhur tërmeti, ka pasur kontakte të vazhdueshme me shtetas/qytetarë të Kosovës që jetojnë apo veprojnë në Turqi, dhe ata janë asistuar nga ambasada për çfarëdo nevoje që kanë pasur, qoftë për transport, qoftë sigurim të fletudhëtimeve për t’u kthyer në Kosovë.
Për sa i përket deklarimeve publike të Evren Kaya, kryetar i Shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve të Turqi, se 70 shqiptarë janë në mesin e të vdekurve, MPJD bën me dije se “bëhet fjalë për familje/persona, që kanë shtetësi turke, por janë me prejardhje të vjetër shqiptare”.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, në vijim të komunikimeve me diasporën tonë në Turqi, përfshirë edhe me persona që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, ka kontaktuar dhe ka biseduar edhe me z. Kaya, gjatë javës së kaluar, i cili ka informuar se ai dhe familja e tij janë mirë dhe nuk kanë pësuar lëndime”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Ministria ka dhënë informacione për qytetarët e Kosovës që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti.
Ndryshe, MPJD thotë se Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, është kontaktuar ditën e premte (10 shkurt) nga dy studente nga Kosova, të cilat kanë njoftuar se gjenden në qytetin Adana. Gjatë komunikimit me stafin e Ambasadës, studentet sipas MPJD-së, kanë konfirmuar se janë të vendosura në konviktin universitar dhe se janë mirë me shëndet.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, thuhet se po vazhdon komunikimin me të dy studentët dhe po shqyrton të gjitha mundësitë që të realizoj kthimin e tyre në Kosovë.
“Me datë 13 shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar nga një familje nga Kosova që ka arritur të largohet nga qyteti Gaziantep në Ankara, dhe ka nevojë për fletë udhëtime për tu kthyer në Kosovë. Në pasditen e së hënës(13 shkurt), pas komunikimit sërishëm me ambasadën, familja kanë deklaruar se do të vendosin brenda dy ditësh se a do të udhëtojnë për Kosovë dhe rrjedhimisht të vazhdohet me përgatitjen e fletudhëtimeve”, njofton MPJD.
Në numrat emergjent të Ambasadës, sipas MPJD-së, janë lajmëruar edhe qytetarë të tjerë të Kosovës, të cilët kanë dhënë informata se janë të sigurt dhe se nuk janë prekur nga tërmeti.
Sipas këtij dikasteri, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, si dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Stamboll, janë vënë në gjendje gatishmërie për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të Kosovës që ndodhen në zonat e goditura nga tërmeti.
Të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen në zonat e prekura nga tërmeti, të cilët kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë: Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Ndryshe, të hënën e kaluar një tërmet i fuqishëm ka goditur Turqinë dhe Sirinë. Numri i të vdekurve në Turqi deri dje ishte 31.643, ndërsa zyrtarët turq thonë se ky numër po rritet nga dita në ditë. Sipas zyrtarëve në Ankara, nga ky tërmet më shumë se 41 mijë e 500 ndërtesa u shkatërruan, ndërsa rreth 1.2 milion qytetarë kanë mbetur pa strehë.