Ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati thotë se nënshkrimi i një marrëveshjeje për një kredi prej 90 milionë eurosh me Bankën Botërore për për politikat, është një lajm i mirë për Kosovën.
Murati i cili ndodhet në Uashington për takimet e pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se rënia ekonomike i atribuohet sfidave të shumta globale, por se qeveria e Kosovës po merr masa të ndihmojë grupet e cenueshme.
“Jeta është vështirësuar në nivel global. Unë besoj që edhe këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka raste e raste kur qytetarët ankohen për shkak të rritjes së kostos së jetesës, sidomos produktet bazë”, tha Murati.
Murati thotë se kanë qenë të vazhdueshme masat që ka ndërmarrë qeveria për të lehtësuar jetën e qytetarëve.
“E njëjta gjë është transmetuar edhe në vendin tonë, në Kosovë, sepse kemi të bëjmë me inflacion të importuar. Çfarë mund të bëjë qeveria në këtë rast është të rrisë mbështetjen për grupet e cenueshme. Kemi rritur edhe pagat në sektorin publik. Vitin e kaluar total kostoja e pagave buxhetore është rritur në nivelin 17 për qind mesatarisht, krahasuar me vitin paraprak, pra është përtej nivelit të inflacionit. Sektorin privat po ashtu e kemi mbështetur me masa të subvencionimit për rritje të pagave, por kemi miratuar edhe disa ligje, siç është ligji për çmimet tavan, i cili pikërisht nga opozita është refuzuar dhe dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë. Dhe është edhe ligji për rritjen e pagës minimale, i cili po ashtu nga opozita është dërguar në Gjykatë Kushtetuese, që të bllokohet. Pra në vazhdimësi kemi veprime të opozitës që pengojnë të gjitha masat që mundohet qeveria t’i marr për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve”, tha Ministri Murati.