Në konferencën për media, Drejtori i Përgjithshëm i klubit, Feti Murseli, falënderoi trajnerin për kontributin e dhënë dhe sukseset e rekordet e arritura nën drejtimin e tij.
“Pas eliminimit të hershëm nga ndeshja e Kupës, në konsultim me presidentët e klubit dhe më pas edhe me trajnerin Nuhiu kemi ardhur në përfundim që të ndërprejmë bashkëpunimin mbi katër vjeçar. Ne e falënderojmë për kontributin e dhënë për klubin tonë, rekordet dhe suskeset e arritura në futbollin vendor dhe arenën ndërkombëtare. Ne i dëshirojmë suksese në vazhdim në karrierën e tij, duke e falënderuar që për katër vitet e qëndrimit për të mirat që i ka sjellë në klubin tonë. Me karakterin e tij dha një shembull dhe kulturë në futbollin kosovar dhe me bindje e them se kjo nuk është një lamtumirë, por një mirëupafshim”, ka thënë drejtori Murseli.
Trajneri i deritanishëm, Ardian Nuhiu u bashkua me ne fillimisht si zëvendës trajner më 17 shtator 2018, ndërsa më 11 shkurt 2019 u emërua si trajner kryesor.
Nuhiu drejtoi DRITËN në 161 ndeshje në të gjitha kompeticionet, kampionat, Kup dhe Evropë në të cilat klubi ynë shënoi 88 fitore, 37 barazime dhe 36 humbje.
Për këto vite u shënuan suksese e rekorde në kampionatin vendor dhe në garat ndërkombëtare, ndërsa në edicionin 2019/2020 FC DRITA u shpall kampion i Kosovës.