Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës bën të ditur se, si pasojë e përshkallëzimit të fundit të tensioneve në Iran dhe vazhdimit të krizës gjeopolitike, gjatë dy ditëve të fundit është shënuar një rritje jashtëzakonisht e madhe e çmimeve të derivateve në bursat ndërkombëtare. Kjo situatë ka shkaktuar pasiguri dhe çrregullime serioze në tregun e furnizimit.
Sipas Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, çmimet kanë arritur nivelin më të lartë që nga 8 prilli 2026. Aktualisht, kostoja e furnizimit ka arritur rreth 1.73 euro për litër, nivel që në shumë raste tejkalon edhe çmimin aktual të shitjes me pakicë në pikat e karburanteve.
“Nëse kjo situatë vazhdon, rritja e kostos së furnizimit pritet të reflektohet gjatë ditëve në vijim edhe në çmimet e shitjes me pakicë. Operatorët tashmë po furnizohen me çmime dukshëm më të larta, ndërsa stoqet ekzistuese po zëvendësohen gradualisht me produkt të blerë sipas kushteve të reja të tregut”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se sipas zhvillimeve aktuale, presioni mbi çmimet mund të vazhdojë si pasojë e tensioneve gjeopolitike, rritjes së kërkesës dhe rënies së nivelit të stoqeve në Evropë, Azi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës është duke e përcjellë situatën me kujdes dhe u bën thirrje institucioneve dhe opinionit publik që këto zhvillime të trajtohen me përgjegjësi dhe mirëkuptim.
“Rritja e mundshme e çmimeve nuk buron nga tregu vendor, por është pasojë e drejtpërdrejtë e rritjes së menjëhershme dhe të jashtëzakonshme të kostos së furnizimit në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në fund të njoftimit.
Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka publikuar çmimet maksimale të derivateve për ditën e sotme.
Sipas njoftimit, çmimi i naftës për sot është 1.70 euro-cent për litër, çmimi i benzinës është 1.55 euro-cent për litër, ndërsa i gazit 0.63 cent për litër.
Kështu, sot një litër naftë është më shrenjt se dje për 1 centë.










