Me rastin e shënimit të 24 Majit – Ditës së Presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përkujtuar liderin e saj historik, Presidentin e parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Në një komunikatë për media, LDK thekson rëndësinë historike të kësaj date, duke e lidhur atë me zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në vitin 1992, që sipas saj, përbënin jo vetëm një akt elektoral, por edhe një moment kyç në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.
“Ky proces shënoi gjithashtu ngjarjen historike të zgjedhjes së Presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili si udhëheqës i Kosovës, u bë udhërrëfyes, misionar, duke udhëhequr me përkushtim dhe vizion një popull të tërë në rrugën e tij për liri, pavarësi dhe demokraci”, thuhet në deklaratën e partisë.
LDK e cilëson Rugovën si një figurë të pazëvendësueshme në historinë e shtetformimit të Kosovës, një lider shpirtëror dhe politik që orientoi kombin në periudha të vështira dhe që kontribuoi në përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri.
Kjo ditë, sipas LDK-së, është një kujtesë për trashëgiminë politike dhe historike që la pas vetes Rugova dhe për rëndësinë e vazhdimit të vizionit të tij për një Kosovë demokratike dhe të integruar në strukturat euroatlantike.