Në kuadër të “Flakës së Janarit 2024”, në sallën e Teatrit të Gjilanit, e përkrahur nga zyra e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni dhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte, që udhëhiqet nga Kushtrim Zeqiri, është mbajtur Akademi Përkujtimore, e cila i është kushtuar heroit Kadri Zeka, përmendorja e të cilit është zbuluar në Gjilan.
Alban Hyseni, kryetar i Komunës, në Akademinë Përkujtimore, në të cilën kanë marrë pjesë familjarë të dëshmorëve, udhëheqës qendrorë dhe komunalë, veprimtarë të çështjes kombëtare, veteranë e invalidë të luftës dhe pjesëmarrës të shumtë, ka theksuar se jemi bashkë për të kujtuar heroin e kombit Kadri Zeka.
Data e sotme e vitit 1982 shënon ndarjen fizike nga kjo botë, kurse 17 janari i vitit 2024 është rikthimi i tij fizik në Gjilan përmes shtatores së shkrirë në bronz. Falë Kadri Zekës, qyteti i Gjilanit ndjehet krenar që pati një personalitet të tillë.
Kryetari Alban Hyseni, tha se të gjithë bashkëveprimtarët e Kadri Zekës e cilësojnë atë si një revolucionar të vërtetë dhe se fjala e nipit të tij, Zenun Pajaziti, i ka lënë përshtypje më shumë se të gjitha fjalimet e mbajtura, kur kishte thënë se familja gjatë tërë procesit nuk ka dëshiruar involvim direkt dhe se vendosja e shtatores është çështje e institucioneve të Kosovës dhe ashtu edhe doli, ngase Kadri Zeka ishte i popullit e jo vetëm i familjes dhe se në 40- vjetorin e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhurata më e mirë për ta është vendosja e shtatores së Kadri Zekës në Gjilan.
“Veprimtarët e ilegales ishin një, ishin një trup dhe kështu të bashkuar punonin e angazhoheshin, unik e me një qëllim të vetëm. Atë që kanë synuar ata, sot është jetësuar, ano pse mbetet shumë punë për t’u bërë për ne që jemi të gjallë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka shtuar se në një ditë me shumë emocione për familjarët dhe shokët e Kadriut, duhet të kujtojmë se secili dëshmorë e hero është edhe familjarë, prind e fëmijë, bashkëshort, vëlla e shok i dikujt e ata janë ndarë nga familja përjetësisht, për t’u bërë të pavdekshëm për gjithë popullin shqiptar, andaj ne të gjallët duhem të shohim mirë historinë, të marrim mësime e të jetë e kaluara e heronjve inspirim dhe mësim për të gjithë ne e le t’i nderojmë ata përmes punës e angazhimit, me sinqeritet e me dinjitet drejt arritjes së synimeve për të cilat ka luftuar Kadri Zeka dhe bashkëluftëtarët e tij.
Artan Dërmaku, rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, duke folur për Kadri Zekën, tha se ky hero me sakrificën dhe kontributin e tij hapi rrugën për liri. Ai foli për periudhat historike nëpër të cilat kaloi Kadri Zeka dhe ka kërkuar që të ndiqet shembulli i tij dhe i heronjve të tjerë dhe se emri i Kadri Zekës më së tepërmi nderohet përmes arritjes së dijes në arsim dhe në inovacion, ngase ata dhanë jetën për një qëllim të madh – lirinë tonë.
“Sot UKZ me plot dinjitet mbanë emrin e Kadri Zekës, kurse përmendorja e ngritur sot në Gjilan na bënë krenarë dhe do të mbetet në kujtesën tonë kolektive”, ka thënë rektori Dërmaku.
Saime Isufi, bashkudhëtare dhe bashkëveprimtare e Kadri Zekës, tha se kishte jetuar bashkë me të në Zvicër dhe ajo ishte një kohë e rëndë për ilegalen shqiptare, e cila po përcillej e po burgosej dhe Kadriu e përcillte me vëmendje të veçantë e po punonte shumë në rrugën e bashkëveprimtarëve të tij, derisa në kohën kur ishte gati numri i gjashtë i Revistës “Liria”, Kadri Zeka ra në krye të detyrës e gazeta u botua pas rënies së tij.
Mehmet Hajrizi, bashkëveprimtar i Kadri Zekës, pasi ka përgëzuar e uruar për shtatoren e Kadri Zekës dhe foli për jetën dhe veprën e heroit, shkollimin, studimet e veprimtarinë klandestine dhe se ai ishte më meritori që në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare formoi shtypin klandestinë dhe botoi trakte e broshura të shumta. Ai shumë shpejt, falë angazhimit të tij, hyri në Këshillin Drejtues të Organizatës dhe veproi në Kosovë e në mërgim.
“Kadri Zeka ishte model i veprimtarit të palodhur, me vendosmëri e vullnet të hekurt, i cili punoi derisa agjentët e sigurimit i ranë në gjurmë, por ai veproi edhe në Zvicër”, tha Hajrizi, duke shtuar se LKSH kërkonte avancimin e statusit të Kosovës në Republikë, andaj edhe populli shqiptar nuk u pajtua me pozitën e vet e LKSH u rrit drejt majave të luftës ngadhënjimtare e ku Kadri Zeka pati rol historik për bashkimin e organizatave dhe hapjen e horizonteve të reja, tha Hajrizi që shtoi se Zeka mbajti kontakte edhe me diplomatët e Shqipërisë dhe ai kishte të gjitha virtytet e një patrioti, kurse pas tri vitesh në mërgim ai u vra bashkë me bashkëveprimtarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla, duke i dhënë tërë jetën atdheut, por që kurrë nuk kërkoi asgjë prej tij, ngase ishte i bindur në fitore.
Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes, në emër të qeverisë së Kosovës, Kadri Zekën e cilësoi një prej ideologëve më të çmuar dhe përpilues i tezave për Republikën e Kosovës, andaj më pas ai rrezatoi edhe për lirinë dhe në komunën e Gjilanit me emrin e tij u pagëzua brigada çlirimtare, e cila më pas u fut në Gjilan.
Izmi Zeka, në emër të familjarëve tha se për familjen e tij kjo është një ditë e veçantë, ngase u përmbush ëndrra e shokëve dhe e bashkëveprimtarëve të Kadri Zekës, sepse ai u kthye aty ku e kishte nisur aktivitetin, aty ku sot jemi të lirë. Ai tha se nderin më të madh Kadri Zekës ia bëjmë duke e ndërtuar Kosovën ashtu siç e deshën heronjtë. Zeka ka falënderuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe drejtorin për Kulturë, Rini e Sporte, që projektin e nisur e bënë realitet.
Në Akademi ka folur edhe Nexhmedin Sejdiu, kryetar i Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”, dega në Gjilan, i cili ka folur për figurën e Kadri Zekës, si organizator dhe udhëheqës i ilegales. Për veprimtarinë e tij në Kosovë e në mërgim, duke qenë model për shokët e idealit, kurse fati i heroit Kadri Zeka ishte i lidhur me fatin e Kosovës.
Në pjesën artistike të Akademisë për Kadri Zekën ka performuar orkestra i dirigjuar nga Hajrullaj Syla e ku u interpretuan edhe pikat “Për ty atdhe”, kënduar nga tenori Liridon Sadriu, variacione me flaute nga Rina Hamdiu, “Unë biri i yt Kosovë” nga Liridon Sadriu dhe vepra për orkestër “Loja” nga Valton Beqiri.