Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në Gjilan është mbajtur Festivali ndërkombëtar “N’Karadak krisin tupanat”.
Paraprakisht, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku së bashku me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, kanë pritur në zyre grupet folklorike pjesëmarrëse, të cilave u janë ndarë mirënjohje.
Grupet folklorike fillimisht kanë defiluar në sheshin e qytetit, për të vazhduar më pas performimin në Festivalin “N’Karadak krisin tupanat”.
Përndryshe, në këtë Festival kanë marrë pjesë këto grupe: Maqedonia e Veriut – AKV “Ibe Palikuqi, Republika Çeke- Folklore ensemble Zerotin, Panama – “Alegria y Tradiciones Panamenas de Bique Arraijan”, Qipro Veriore-Iskele Municipality folk dance group, Maqedonia e Veriut – Ensemble “Koco Racin” dhe Meksikë-Kimbamba folk dance group.
Ky festival po organizohet nga SKKOFF “Kosova” ( Seksioni Kombëtar i Kosovës për Organizimin e Festivaleve Folklorike dhe Artit Tradicional” në partneritet të ngushtë me organizatën CIOFF (Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore) që është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare në partneritet zyrtar me UNESCO.