Në Komunën e Gjilanit sot është hapur fushata për ndërgjegjësim në mbrojtjen e ajrit nga ndotja, duke pretenduar për një cilësi më të lartë të ajrit.
Ky aktivitet është organizuar nga Komuna e Gjilanit, konkretisht drejtoria Komunale e Arsimit, financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, i mbështetur edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Instituti Hidrometorologjik i Kosovës dhe Agjensia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Në këtë ngjarje para nxënësve dhe mësimdhënësve, drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka falënderuar organizatorët, nxënësit e shkollave të mesme personelin arsimor dhe qytetarët për angazhimin dhe ka porositur për kujdes maksimal, duke bërë të ditur se Komuna e Gjilanit tashmë ka nisur aktivitetet në mbrojtje të ambientit dhe krijimin e pastërtisë që njëkohësisht ndikon edhe në pastrim të ajrit nga ndotja.
“Komuna e Gjilanit nga dita e nesërme në të gjitha institucionet ka aktivitet për pastrim të ambientit, gjelbrim të hapësirave publike në kuadër të shkollave dhe hapësirave publike në qytet dhe fshatra për një qëllim që ambienti ku jetojmë të jetë i pastër dhe ajri që e thithim të jetë i cilësisë sa më të mirë”, ka thënë mes tjerash drejtori Gagica.
Agron Kelmendi, menaxher i projektit, ka thënë se përderisa më parë nuk kishim të dhëna rreth cilësisë së ajrit, ose ato grumbulloheshin përmes formave mekanike, sot ato janë në kohë reale dhe freskohen në çdo orë.
“Të dhënat dikur bëheshin në forma mekanike dhe sot gjenerohen në kohë reale duke ofruar informacione edhe për ditët në vijim. Gjithashtu, në portalin që e trajton cilësinë e ajrit në qytetet e Kosovës, janë të dhëna edhe rekomandimet që duhet të ndjekin qytetarët. Prandaj, kërkohet ndryshim i përbashkët me kujdes të veçantë për ajrin dhe cilësin e tij që fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat më sëmundje të ndryshme të kenë më të lehtë të jetuarit. Ajri i papastër shkakton dëmtime të shëndetit, por ndryshimet mund të ndodhin për së miri nëse kemi kujdesin dhe angazhimin e përbashkët”, ka thënë ai mes tjerash.