Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga Lista Serbe, me të cilën kundërshtohej udhëzimi i lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas të cilit, votim i vlefshëm në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit, konsiderohet vetëm ai që realizohet përmes dokumenteve identifikuese të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë në mbledhjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.
Kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Mul Desku tha për Radion Evropa e Lirë se apeli i Listës Serbe është refuzuar.
“PZAP ka vendosur që ta refuzoj apelin e Listës Serbe si të pabazuar, pasi që ka vlerësuar se udhëzimi i KQZ-së është i drejtë dhe i ligjshëm”, tha Desku.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë, sidomos ata të Listës Serbe, e kanë kundërshtuar këtë udhëzim, pasi që në zgjedhjet e kaluara është dëshmuar që një numër i konsiderueshëm i serbëve të Kosovës, sidomos ata që jetojnë në katër komunat veriore, posedojnë dokumente identifikuese, letërnjoftime, të Serbisë.
Lista Serbe, subjekt ky politik që në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale ka fituar bindshëm në raport me partitë rivale nga komuniteti serb, e konsideron udhëzimin e KQZ-së si të paligjshëm.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, se “udhëzimi i KQZ-së është i paligjshëm” dhe se, sipas tij, ai përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Edhe një përfaqësues i komunitetit malazez në Kosovë, Sllobodan Vujiçiq, kryetar i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, nëpërmjet një reagimi e ka kundërshtuar udhëzimin e KQZ-së.
“T’ua marrësh të drejtën e votës qytetarëve, të cilët gjenden në listën zgjedhore, është shkelja më e ashpër e të drejtave të njeriut dhe pikërisht e Ligjit mbi zgjedhjet në Kosovë. Me këtë akt diskriminues janë goditur 20.000 malazias, të cilët jetojnë në veri të Kosovës dhe të cilët janë të zhvendosur”, thuhet në reagimin e tij.
Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për miratimin e Udhëzimit për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshillat e Vendvotimit lidhur me dokumentet për identifikimin e votuesve në vendvotim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 6 tetor 2019.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se KQZ-ja ka nxjerrë këtë udhëzim përmes së cilit i udhëzon Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e vendvotimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës se cilat janë dokumentet e vlefshme për identifikimin e votuesve në vendvotim, në ditën e zgjedhjeve më 6 tetor.
“Pra, dokument i vlefshëm është dokumenti i cili është i nënshkruar nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Qëllimi i këtij udhëzimi është heqja e çdo dileme për këtë çështje për shkak të paqartësive që janë shfaqur në proceset e kaluara zgjedhore si dhe tregon kujdesin e Komisionit Qendror Zgjedhor për sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor”, thotë Valmir Elezi.
Sipas këtij udhëzimi, dokument i vlefshëm i votimit konsiderohen të gjitha dokumentet e Republikës së Kosovës, siç i parasheh neni 90 i Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ndërkohë, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i cili ka monitoruar katër palë zgjedhje në Kosovë pas përfundimit të luftës. Ky Këshill e përkrah udhëzimin e KQZ-së, të cilin e konsideron se është në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, sikur që me asgjë nuk i shkel të drejtat e njeriut.
“Në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të votojnë edhe ata që kanë dy shtetësi e që KMDLNj mendon se nuk duhet të jetë ashtu dhe këtë të drejtë nuk e kanë të mohuar as votuesit e komunitetit serb, as malazias e as të komuniteteve tjera!”, theksohet në reagimin e KMDLNJ-së.
“Nëse një qytetar i Kosovës e ka dyshtetësinë, atëherë nënkuptohet se është i pajisur me dokumente të identifikimit dhe të tjera të dy shteteve dhe se i plotëson të gjitha të drejtat dhe të drejtën për votim”.
“Nëse një qytetar i Kosovës dhe i cili ka të drejtë për dyshtetësi, edhe 20 vite pas përfundimit të luftës nuk është pajisur me dokumentacion të vlefshëm të Kosovës, nuk ka asnjë të drejtë të ankohet se po i mohohet e drejta e votës për faktin se nuk i lejohet të votojë me dokumente të një shteti tjetër. Në këtë situatë, është e qartë se ka munguar vullneti dhe dëshira për pajisje me shtetësi dhe dokumente të Kosovës e që nënkupton se e refuzon Kosovën si shtet”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Andaj, ky Këshill e konsideron të drejtë vendimin, përkatësisht udhëzimin e KQZ-së.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për datën 6 tetor, pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.
Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet joserbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Nga subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb, në zgjedhje do të marrin pjesë: Partia e Pavarur Liberale, Partia e Serbëve të Kosovës, koalicioni “Liria” , si dhe Lista Serbe.
Sipas listës preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit është 1.972.466./REL