Katër zyrtarë të komunës së Novobërdës janë ndaluar me urdhër të prokurorisë, për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar.
Në lidhje me këtë ka folur nënkryetari i Novobërdës, Bajrush Ymeri, i cili ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për arrestimin e tyre, njofton Klankosova.tv.
Ymeri theksoi se nuk ka njohuri se kush janë katër zyrtarët që janë ndaluar.
“Jo, lajmin e kemi marrë në Klan Kosova. Informata nuk kemi se kush janë ata katër zyrtarë që kanë marrë paga. Natyrisht, është e çuditshme, nuk është në rregull, me pasë zyrtarë komunalë që kanë marrë pagë dhe nuk kanë ardhur në punë”, është shprehur Ymeri.
“Lajmin, siç e keni marrë ju, edhe ne në mjetet e informimit, është rasti i parë që kemi raste të tilla të arrestimit, nuk e dimë të cilit komunitet janë”, shtoi ai.
“Unë kam qenë në punë, nuk kam parë ndonjë lëvizje, nuk janë arrestuar në institucion, por në shtëpi apo diku tjetër”.