Anamoravasët njihen me migrimet e tyre të hershme në Zvicër, Gjermani, Francë, Itali e Austri. Pjesë e të mërguarve të fillim viteve të 80- ta, është edhe Nexhat Xhymshiti – Xhimi, nga Malisheva e komunës së Gjilanit.
Nexhati, në fakt largimin nga vendlindja asnjëherë nuk e kishte në planet e tij. Meqë, prindi i tij Musai për shkak që gjendjes së rëndë ekonomike qysh në pranverën e vitit 1967, së bashku me bashkëvendësin e tij Ahmet Rexhepi, pati migruar në Villach të Austrisë.
Andaj, Nexhati s’shihte kurrfarë arsyeje për ta braktisur Kosovën. Ai si nxënës i shkollës tetëvjeçare “Emin Duraku” të fshatit Malishevë, bije në sy me talentin e tij prej futbollisti.
Në periudhën kur synonte që prirjet e tij t’i provojë në ndonjë skuadër futbollistike të komunës së Gjilanit, nis përkeqësimi i situatës politike në Kosovë. Po ashtu, krahas angazhimit në lojën e futbollit pas përfundimit të shkollës së Mesme, kishte planifikuar edhe studimet në Fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin e Kosovës.
Ëndrrën e tij për t’u arsimuar dhe kontribuar në futbollin e vendit, e prishin proceset e montuara politike, të shovenistëve serbë ndaj shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës Lindore.
Këto procese fillim e mbarim të inskenuara nga Gjykatat jugosllave çuan në dënimin me burgim të rëndë të mijëra shqiptarëve, sidomos të rinisë studentore.
Nexhati, duke i parë këto padrejtësi dhe këtë diskriminim të çdoditshëm që i bëhej hapur popullit të tij, në pranverën e vitit 1981, së bashku me disa shokë shpërndajnë në qytetin e Gjilanit, pamflete me thirrje për protesta.
Nëpërmjet këtyre organizimeve synohej avancimi i statusit të Kosovës, dhe barazia e shqiptarëve me popujt e tjerë të ish- Jugosllavisë.
Kjo veprimtari e tij edhe pse e ligjshme nga pushtuesit serbë dhe lojalistët e tyre konsiderohet si akt armiqësor. Nexhati paraburgoset dhe dënohet me dy muaj burgim nga regjimi i atëhershëm komunist i Jugosllavisë.
Edhe pas lirimit nga burgu çdo veprim i tij përcillej nga agjentë e aktivistë të shërbimit sekret të këtij shteti.
Veç kësaj atij i hiqet edhe e drejta për punë dhe studime. I gjendur në një situatë të parrugëdalje më 6 korrik të vitit 1982, ai shkon në Gjenevë të Zvicrës.
Atje i apasionuar pas futbollit më 29 shtator 1982, aktivizohet si mesfushor në skuadrën FC.Saint-Paul,të Gjenevës. Me bardh e kuqtë e këtij ekipi Nexhati luan me mjaft sukses gati dy dekada.
Sipas dokumenteve të arkivuara në Klube dhe në Asociacionin e Futbollit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, shihet qartë që Nexhat Xhymshiti, më shumë i njohur me emrin përkëdhelës si Xhimi, është shqiptari i parë që në mënyrë zyrtare luajti në një skuadër të Gjenevës.
Ai në këtë klub shumë shpejt krijoi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë. Zatën kjo edhe ndikoi që t’u thotë jo ofertave të shumta që i vinin nga Klube të tjera të Gjenevës dhe Lozanës.
Qëndrimit të tij me të drejtë pune në Zvicër, i dhanë dritën jeshile Aksionarët dhe trajnerët e skuadrës F.C.Saint- Paul, me aktivitet në zonën Vesenaz, të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Ata dolën të saktë në prognozimet e tyre se Xhymshiti, do të jetë i dobishëm për klubin. Ashtu edhe ndodhi. Ai, me shpirt ndihmoi rritën dhe zhvillimin e kësaj ekipe futbollistike me traditë 77 vjeçare.
Xhimi, në këtë skuadër kreu edhe detyrën e trajnerit, duke dhënë nga vetja gjithë eksperiencën e tij,me kusht që shkolla e kadetëve të F.C Saint- Paul, të jetë në mesin e shkollave më të suksesshme të futbollit në Gjenevë.
Identitetin e tij si shqiptar ai nuk e prezantoi vetëm me emër e fotografi, por me përkushtim të pashoq në punë.
Dashurinë dhe respektin për punën e kishte trashëguar edhe nga prindërit e tij. Këtë virtyt të tyre me vlerë ai do ta ruajë deri në fund.
Xhymshiti, rreth 15 vite punoi në ndërmarrjen e njohur tregtare” Migros“ të Gjenevës. Ai çdoherë ra në sy me zbatimin e përpiktë të orarit të punës, dhe kryerjen e detyrave.
Mirëpo, dëshira e zjarrtë për më tepër kohë për futbollin e çoi tek vendimi që të krijojë marrëdhënie të re pune në komunën “Collonge- Bellerive“ të Gjenevës. Ai në këtë komunë edhe sot me shumë zell e qejf kryen detyrën e shtëpiakut.
Shpërngulja masive dhe e paparashikuar e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike gjatë viteve të 90- ta, për shkaqe tanimë të njohura do t’i nxjerrë angazhime shtesë Nexhatit, dhe disa kolegëve të tij.
Ata, duke parë përqendrimin e madh të të mërguarve shqiptarë në Gjenevë të Zvicrës, shohin si nevojë urgjente formimin e një Klubi futbollistik, në të cilin shumë shpejt do të përfshihen të gjithë të rinjtë shqiptarë me prirje për futbollin.
Ky objektiv i këtyre sportistëve të mirëfilltë realizohet më 1998, kur edhe zyrtarisht ky klub regjistrohet në “Association Cantonale Genevoise de Football” me emrin F.C.“Kosova” e Gjenevës.
Ky sukses u atribuohet edhe të gjithë sipërmarrësve shqiptarë të Gjenevës, të cilët si atëherë edhe sot me donacionet e tyre të rregullta, po e ruajnë funksionimin e këtij Klubi të konsideruar si krenari jona mbarëshqiptare.
Kjo skuadër jo vetëm që zhvillon gara me mjaft sukses në Ligën e Dytë Regjionale të Kantonit të Gjenevës, por mbi dydhjetëvjeçarë të plotë ka shënuar arritje të njëpasnjëshme, duke mposhtur edhe skuadra me renome si në edicionet e Kampionatit, ashtu edhe në ato për Kupën e Gjenevës.
Sikur të kishte mjete të mjaftueshme me kapacitetet që ka aktualisht të F.C. Kosova e Gjenevës, fare lehtë mund të garonte edhe në të ashtuquajturën “Premiere Ligua “të Zvicrës, me status gjysmëprofesional të lojtarëve.
Përveç kësaj të vërtete që skuadra ka lojtarë cilësorë shumica e tyre shquhen edhe me arritjet e tyre të larta në Fakultete dhe Shkolla të Larta të Universitetit të Gjenevës dhe Lozanës.
Ata krahas të qenunit lojtarë standard në këtë ekip bëjnë edhe punën e inxhinierit, juristit, ekonomistit, mësimdhënësit, infermierit, eprorit të sigurisë dhe rendit, avokatit, sipërmarrësit etj.
Me hise në këto suksese është edhe Nexhat Xhymshiti, i cili qoftë si lojtar aktiv, qoftë si anëtar i Kryesisë së këtij Klubi, ka dhënë një kontribut të pamohueshëm.
Ai, edhe sot me besueshmëri dhe ndërgjegjeje e kryen funksionin e Zëvendëskryetarit të F.C.”Kosova” të Gjenevës.
Diçka e rrallë, në gjysmëfinalen e Kupës së Gjenevës, babai luan kundër të birit!
Nëntori i vitit të kaluar do të mbetet si një ngjarje e shënuar për Nexhat Xhymshitin.
Hedhja e shortit për Kupën e Gjenevës, sjell një lajm të papritur. Nexhat Xhymshiti, veteran në FC.” Kosova” të Gjenevës, në takimin gjysmëfinale të Kupës së këtij Kantoni, do të luajë kundër të birit Mehdi Xhymshiti, lojtar në UC.Meinier 1929.
Kjo ndeshje e zhvilluar më 11 Nëntor 2019, në stadiumin komunal të U.C. Meinier, karakterizohet me aksione tërheqëse dhe raste të shumta shënimi.
Megjithatë, koha e rregullt e ndeshjes nuk jep fituesin. Takimi UC.Meinier- F.C. Kosova, përfundon me rezultatin baras 3 me 3.
Nexhati, i njohur për korrektësinë dhe lojën fer në këtë ndeshje jo vetëm që ishte lojtari më i mirë, por ishte nga të parët që nisi serinë e golave.
Kur shikuesit kuptuan që përballë njërit – tjetrit po luanin babë e djalë, mbetën të mahnitur me angazhimin e tyre të manifestuar gjatë 90 minutave.
Fituesin e këtij derbi në fund e përcaktuan gjuatjet nga 11 metërshi. Më të saktë në ekzekutimin e penalltive u treguan futbollistët e F.C. Kosova të Gjenevës.
Ata, edhe pse mysafir në këtë përballje dolën fitues.Kjo ndeshje gjysmëfinale e vlefshme për Kupën e Gjenevës, u mbyll me rezultatin U.C. Meinier 1929 – F.C. Kosova 4:6.
Ky takim surprizë ndërmjet këtyre skuadrave kundërshtare u shndërrua edhe në festë.
Të dyja ekipet pa shfaqur mërinë më të vogël u argëtuan me këngë e valle të ndryshme deri në orët e vona të natës.
Me këtë rast si mikpritësit ashtu e mysafirët dëshmuan që të shumtën e herëve futbolli është metoda më e mirë e njohjes dhe komunikimit, në mes të kulturave të ndryshme të botës.
Ky ishte vetëm një përshkrim sipërfaqësor i aktivitetit edukativo- sportiv të Nexhat Xhymshiti, si lojtar dhe trajner.
Mbase, herëve të tjera veprimtarinë e tij sportive nëpër vite adhuruesve të futbollit do t’ua paraqesim edhe me realizimin e ndonjë kronike apo interviste në emision më të dëgjuar të sportit “E diela pasdite” të Radio Kosovës.
Nexhati, që një jetë ia kushtoi futbollit porositë të gjithë të rinjtë, që të praktikojnë ndonjë nga sportet,sepse vetëm nëpërmjet tyre ruhet shëndeti dhe krijohen miqësitë.
Xhimi, edhe pse shpeshherë i gjendur në situata të palakmueshme e herë- herë provokuese as edhe njëherë të vetme s’ra në pozita të ulëta.
E,as nuk shfaqi urrejtje apo paragjykime mbi ngjyrën dhe përkatësinë kombëtare të individit.
Prandaj,njerëzit dhe sportistët e vërtetë si Nexhat Xhymshiti – Xhimi, janë misionarët më të mirë të prezantimit të kulturës dhe traditës sonë, në një vend, siç është Gjeneva, ku në çdo hap hasim në bashkësi dhe qytetërime të panumërta të botës./arif ejupi/PlusTv/
Nga: ARIF EJUPI