Idesë së Presidentit Hashim Thaçi për ndryshim të Kushtetutës në mënyrë që Lugina t’i bashkohet Kosovës, duket se do t’i japë përkrahje edhe partia e Kryeministrit Haradinaj. Por, në AAK thonë se bashkimi i Luginës më Kosovën duhet të bëhet pa u prekur as edhe një metër e territorit të Kosovës në këmbim.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se ata janë pro bashkimit të Luginës më shtetin e Kosovës, por vetëm nëse kjo bëhet në mënyrë vullnetare dhe pa u prekur territori i vendit.
Lekaj ka thënë se Kushtetuta e specifikon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës të pacenueshëm, patjetërsueshëm dhe pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, dhe se kjo duhet të respektohet.
Ndërkohë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë dhe bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.
I pari i vendit ka deklaruar se ky është vizioni i tij dhe do të punojë për të ndryshuar Kushtetutën për ta bërë pjesë të Kosovës edhe Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
“Korrigjimi i kufirit, po. Me një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës. Me përfshirjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Do të punoj për të ndryshuar Kushtetutën. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës”, ka thënë Thaçi nga Prizreni, shkruan Gazeta Express.
Tutje, Thaçi ka thënë se me Serbinë s’do të ketë shkëmbim të territoreve dhe as asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Ka kundërshtuar edhe idenë për një Union Ballkanik.
“Ideja e shkëmbimit të territoreve është ide e keqe. Është pazar. Nuk do të lejoj të ndodh. Me asnjë çmim. Por, dua të potencoj gjithashtu, jo që do të shtrohet në tavolinë, por s’do të lejoj as që të diskutojë dikush për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Kreu i Kosovës ka thënë se kushdo që nuk respekton këshillat amerikane është në anën e kundërt të historisë.
“Respektimi i këshillave të SHBA’së thekson qartë drejtimin tonë të drejtë si vend e shoqëri. Anën e drejt të historisë. Çdo kryeneçësi tjetër është ana e gabuar e historisë”, ka shtuar ai.