NJË AUDIODOKUMENTAR PËR KAMENICËN DHE DISA VEPRA ARTI
Audiodokumentari i katërt i hulumtuar me metodën kualitative, i shkruar dhe i qëndisur nga unë, dhe i lexuar e me narrator, aktorin Avni Shkodra, do të shfaqet premierë për audiencën, këtë të ENJTE. Audiodokumentari vjen për Kamenicën ose Dardanën, pas atyre që bëra për Gjilanin, Stanishorin dhe Kalanë e Pogragjës, në kuadër të projektit nga Varg e Vi. Projekti ka emërtimin: D-PERFORMANCE
Të nderuar artdashës, sigurojeni pjesëmarrjen në ngjarjen artistike “D performance”, duke i rezervuar falas, një palë dëgjuese wireless në e-mailin vargevi.art@gmail.com
Aktiviteti realizohet më 29 korrik, e enjte, me fillim nga ora 20:15 me pikëtakim amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë. D-performance vjen si ide e koncept artistik inovativ nga “Varg e Vi”, mbi trashëgiminë kulturore dhe jetën sociale në Kamenicë dhe njëkohësisht me audiodokumentarin premierë, ju do të shihni përgjatë ecjes në sheshin e ri, 5 instalime artistike me motive nga Dardana…
Kam intervistuar qytetarë, profesorë dhe kam shqyrtuar literaturë. Kam dëgjuar rrëfime tepër interesante për kujtesën kolektive të Kamenicës, dhe njëra nga më mbresëlënëset do të jetë edhe për ëmbëltoren e goranëve. Për të tjerat, ejani vetë dhe i dëgjoni premierë. Është mbrëmje vere dhe mund ta ndiqni një projekt të ideuar si tërësi nga Avni Shkodra, me instalime nga Din Azizi e përmbajtje tekstuale vargeviane, me kompozim nga Valdrin Halimi, me dizajn e foto të Migjen Fazliut, me përkrahje nga Komuna e Kamenicës. Pak, pak, por me rëndësi, të bëhet diçka, që qytezat të kenë gjallëri kulturore. Po të pritet shumë, kurrë nuk ka angazhim, nisma e projekte.
Në faqen tonë, mund të ndiqni të gjitha aktivitetet që tashmë ju kanë ikur: https://vargevi.com