Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarit P.C., nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij, A.C.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë, ku thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pasi që i njëjti nëse të gjendet në liri mund të përsërit veprën penal, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri gjatë muajit mars, në kohë të papërcaktuar, në shtëpinë e përbashkët familjare, ka ushtruar dhunë psikike, fizike dhe ekonomike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, A. C., ashtu që nën ndikimin e substancave narkotike, e humb kontrollin dhe të dëmtuarën e godet me shuplakë, gjithashtu vazhdimisht i bërtet me tonë të lartë të zërit, ku tek e dëmtuara shkakton trauma dhe ka cenuar rëndë dinjitetin e të dëmtuarës, duke shkaktuar frikë, ankth, pasiguri dhe shqetësim permanent emocional”, thuhet në njoftim.
Më këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.