Drita ka shënuar fitore të rëndësishme në xhiron e 13-të të Albi Mall Superligës.
Gjilanasit mposhtën Ferizajn 1-0 në shtëpi, me golin e minutës së 94-të nga Besnik Krasniqi, i cili realizoi nga penalltia, shkruan Gazeta Olle.
Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu theksoi se ekipi i tij ishte shumë kërkues, që në fund u shpërblyen me tri pikë.
“Në futboll nuk ka ndeshje të lehtë, por mund ta bësh të lehtë. Më pëlqeu mentaliteti i skuadrës. Futëm në vështirësi kundërshtarin që kishte ardhur me qëllime të veta. Menaxhuam pjesën e kundërsulmit, ishim kërkues, dhe kjo na u shpërblye me tri pikë”, tha fillimisht Nuhiu.
“Të gjithë futbollistët janë angazhuar. Ajzeraj i dha freski ekipit, dhe jo vetëm ai, por të gjithë që u futën në pjesën e dytë. Kërkuam që ta fitonim ndeshjen”, është shprehur Nuhiu.
“Intelektualët” mbeten në pozitën e parë në tabelë me 30 pikë, teksa “Ujqit” momentalisht kanë tetë sosh në vendin e fundit. /Olle/