Ardian Nuhiu është paraqitur në konferencën për shtyp para gazetarëve në vigjilje të ndeshjes së radhës kampionale ndaj Llapit, sfidë kjo e cila do zhvillohet në Gjilan.
Tekniku i ‘kuqebardhëve’ ka folur në lidhje me përgatitjet për duelin e së shtunës, disfatën e fundit kampionale, si dhe mungesën e rezultateve pozitive.
Nuhiu është shprehur optimist se skuadra që ai drejton do të dal nga ky ngërç i rezultateve, pasi që futbollistët po e ndjekim frymën dhe filozofinë e stafit. Për më shumë ai beson se ky grup ka potencial për ta bërë këtë gjë.
“Llapi është një skuadër për t’u rrespektuar, pasi që ka qenë pretendent në vitet e fundit të futbollit kosovar dhe për më tepër që tashmë në radhët e veta ka futbollist shumë cilësor. Po ashtu kanë një trajner i cili punon gjatë me këtë skuadër dhe dijnë sakt se çfarë duhet të bëjnë në këtë ndeshje. Sa i përket skuadrës time, ata e kanë dëshmuar që në ndeshjet me skuadrat që pretendojnë pjesën e epërme të klasifikimit e kanë dëshmuar se potenciali është te grupi dhe kam besim të plotë për paraqitjen e nesërme ndaj Llapit. Kemi punuar në aspektin psikologjik, pasi vijmë nga një humbje në shtëpi, të cilën nuk e mendojmë fare dhe ajo tashmë i kalon të kaluarës. I gjithë fokusi është në ndeshjen e radhës, të bëjmë mirë dhe të marrim fitore”, potencoi Nuhiu.
Disfata shokuese ndaj Ferizajt?!
“Kishim në kontroll ndeshjen sa i përket posedimit, mirëpo kundërshtari na ndëshkoi në kundërsulme. Na mungoi koncentrimi, pasi që kundërshtari na krijoi raste për shënimi. Në pjesën e dytë shënuam dhe u afruam golit të barazimit duke krijuar disa mundësi të mira shënimi, por në momentet më të mira u ndëshkuam me kartonin e parë të kuq, më pastaj edhe të dytin. Për ne tashmë ajo ndeshje është e harruar me leksionet të cilat i kemi marrë. Jemi të fokusuar dhe përqendruar te ndeshja e radhës”.