Ka përfunduar pa arritur ndonjë marrëveshje për ndërprerjen e grevës në arsim takimi mes përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) dhe dy ministrive të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit dhe Financave.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje i cili është pjesë e Komisionit për Arsim në të cilin po raportojnë ministrja Nagavci e ministri Murati, ka dalë me një propozim për Këshillin Grevist për të zëvendësuar metodën aktuale të grevës me atë të mos vendosjes së notave për nxënësit.
Sipas Golës, duhet të ndërrohet mënyra e presionit për plotësimin e kërkesave, në mënyrë që të mbahet edhe mësimi dhe qeveria në të njëjtën kohë të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Ndaj kësaj kërkese ka reaguar Ymer Ymeri nga Këshilli Grevist, duke e pyetur deputetin Gola nëse do të reflektojë Qeveria në rast se zbutet metoda e grevës në këtë formë.
Gola pastaj ka sqaruar edhe një herë propozimin e tij, dhe ka thënë që s’po kërkojnë përgjigje menjëherë.
“Mund të jetë një mjet i efektshëm si presion sindikal ndaj qeverisë”, ka thënë tutje Gola, duke i sqaruar Ymer Ymerit se kjo s’nënkupton që të heqin dorë nga kërkesat e tyre.
“Të jeni të bindur që do të jemi prapa jush”, ka thënë Gola.
“Do ta bisedojmë me anëtarësinë”, ka thënë një prej anëtareve të Këshillit Grevist.
Ndërkohë Ymer Ymeri i ka bërë thirrje Golës që të jetë prezent në takim për të dëgjuar se çfarë thonë anëtarët e sindikatës për propozimin.