Urbanizmi është një nga fushat më të rëndësishme për zhvillimin e qytetit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se ka ardhur koha që Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit të organizojë një takim të hapur me arkitektët, inxhinierët, projektuesit dhe profesionistët e tjerë të fushës.
Kohëve të fundit janë shfaqur shqetësime, dilema dhe mendime të ndryshme profesionale lidhur me procedurat dhe praktikat që zbatohen në këtë sektor. Këto çështje nuk duhet të mbeten objekt diskutimesh të izoluara, por të trajtohen në një tryezë të përbashkët profesionale, ku secila palë të ketë mundësinë të shprehë qëndrimet dhe përvojat e saj.
Një debat i tillë nuk duhet të shihet si kritikë ndaj institucionit, por si mundësi për dialog, transparencë dhe avancim të punës në interes të qytetit. Vetëm përmes komunikimit të hapur mund të identifikohen sfidat reale dhe të gjenden zgjidhje që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm urban.
Gjilani ka profesionistë me përvojë dhe kompetencë të dëshmuar në fushën e arkitekturës, inxhinierisë dhe planifikimit urban. Përfshirja e tyre në diskutime profesionale është vlerë për institucionet dhe për qytetin.
Prandaj, ftoj Drejtorinë për Urbanizëm që të marrë iniciativën për organizimin e një debati profesional, të hapur dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që sfidat dhe shqetësimet ekzistuese të diskutohen me argumente profesionale dhe në frymën e bashkëpunimit.
Shumë miqësisht ftoj kolegët brenda drejtorisë së urbanizmit që të mos jenë neglizhent sepse përgjegjësia dhe pasojat do të jenë mbi ta.
Pa politikë por gjithsesi me llogaridhënie.

