Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të ashpërsojë dënimet ndaj dhunuesve të grave.
Ajo tha se vrasja e Liridona Ademajt – Murseli duhet të jetë zgjim i ndërgjegjes sonë kolektive.
“Ajo çfarë ndodhi para disa ditësh me rastin e vrasjes së Liridonës që ndodhi përgjatë 16 ditëve të aktivizimit, siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar duhet të jetë zgjim i ndërgjegjes tonë kolektive. Për fat të keq ajo çfarë po ndodh për vite me radhë është se po normalizohet dhuna. Këtë duhet të luftojmë me ngulm. Kjo është sfidë e gjithë shoqërisë”, tha Osmani në konferencën për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI.
Tutje, Osmani tha se ka disa mangësi në mënyrën si funksionon adresimi i çështjes së dhunës në baza gjinore.
“E dyta që është sfidë e institucioneve duhet të shkojmë nga ashpërsimi i dënimeve, deri tek fuqizimi i mekanizmave, pasi në kuadër të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, luftimin e dhunës në baza gjinore e kemi në top prioritete kryesore. Janë identifikuar një sërë mungesash në mënyrën sesi funksion zinxhiri i institucioneve jo vetëm të sigurisë, por edhe të tjera në mënyrë që çështje e dhunës në baza gjinore të përcillet nga fillimi deri në fund. Është esenciale që dënimet e institucioneve tona të drejtësisë mos të jenë të tilla që të inkurajojnë dhunuesit”, deklaroi Osmani.