PDK në Gjilan ka reaguar ndaj kryetarit të komunës, Alban Hyseni, pas vendimit të tij për anulimin e 84 kontratave të konsideruara të kundërligjshme.
Sipas PDK-së, këto punësime kanë përfshirë familjarë dhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke shkaktuar dëm në buxhetin komunal prej mbi 1.4 milionë euro. Në përpjekje për të mbyllur këtë çështje, Hyseni ka dërguar vendimin e tij edhe në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
PDK paralajmëron publikimin e skandaleve të tjera dhe kërkon dorëheqjen e kryetarit, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme të mundshme.
Konunikata e plotë:
Alban Hyseni dorëzohet edhe para Gjykatës Themelore të Gjilanit, dërgon vendimin e tij për anulimin e 84 kontratave për punësimet e tij të kundërligjshme në institucionet komunale
Dje, kryetari i Gjilanit ka marr vendim për anulimin e 84 kontratave të jashtëligjshme për punësimet e familjarëve dhe militantëve të VV-së në institucionet komunale. Të gjithë të punësuarit janë njoftuar dje me këtë vendim.
Ndërsa gjatë ditës, një kopje të vendimit e ka dërguar në Gjykatën Themelore të Gjilanit, duke tentuar t’a mbyllë në heshtje rastin e kallëzimit penal për dëmtim të buxhetit komunal prej mbi 1.4 milion euro për pagat e paguara kundërligjshëm nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.
Për më shumë detaje, ditëve në vijim PDK do të publikojë dhjetëra skandale se si të punësuarit e jashtëligjshëm përmes kontratave në vepër, kanë dhënë me miliona euro tenderë, kanë mbikqyrë ekzekutimin e projekteve me miliona euro ndërsa kanë qenë pa përgaditje profesionale dhe vetëm me shkolla të mesme.
Fortuna veç sa ka filluar në Gjilan, nuk ka sen që e ndalë këtë kryetar komune, për të rënë në humnerën e tij qeverisëse me komunën e Gjilanit.
DORËHEQJA është e vetmja rrugë e këtij kryetari të Gjilanit.