Shkruan: Avni Rudaku
Qeveria Kurti ka dështuar të ofrojë një plan të qartë kohor për finalizimin e autostradës, duke krijuar frustrim te qytetarët. Kryeministri premtoi se do të kryhej më 2023, nuk u krye as më 2024.
Zvarritja e ndërtimit ka sjellë rritje të numrit të aksidenteve në rrugën e vjetër Gjilan-Prishtinë, duke e vendosur në rrezik jetën e shumë udhëtarëve e shoferëve.
Vetëm për vonesat e urës së Badovcit, do të duhej të hetohej urgjentisht, për pasojat eventuale në tragjedinë e humbjes së jetës së tre të rinjve.
Mungesa e një infrastrukture të sigurt ka çuar në një rritje të konsiderueshme të lëndimeve e rasteve me fatalitet në aksidentet Gl-Pr.
Dështimi për të përfunduar autostradën ka penguar zhvillimin ekonomik të Anamoravës. Infrastruktura me krejt studimet, ndihmon zhvillimin ekonomik.
Vetëvendosje nuk ka pasur thuajse bastion në zgjedhjet lokale, dhe nëse mund të flasim vetëm për një bastion ideal, Gjilani nga viti 2010, e veçmas në vitin 2021, ka arritur kulmin e votave për Kurtin. Anamorava në përgjithësi, shtoja këtu Kamenicën.
Taksat për qytetarët nuk janë shoqëruar me përmirësime në infrastrukturë, duke e bërë situatën akoma më të rëndë.
Qeveria nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të parandaluar aksidentet në rrugën e vjetër, veçmas në Slivovë e para urës së Badovcit.
Të dhënat e aksidenteve mund të na fusin në supozimin se, ka pasur një rritje alarmante të numrit të viktimave për shkak të mungesës së autostradës.
Infrastruktura e dobët ka ndikuar negativisht në sigurinë rrugore, duke i lënë shoferët e udhëtarët të pambrojtur.
Ndërhyrjet e përkohshme për përmirësimin e rrugës së vjetër Gl-Pr janë të papërshtatshme dhe joefektive.
Qeveria nuk ka qenë transparente për arsyet e zvarritjes së projektit, duke humbur besimin e qytetarëve.
Mungesa e komunikimit nga ana e autoriteteve qeveritare ka krijuar mllef veçmas te gjilanasit dhe shfrytëzuesit e kësaj rruge nga Kamenica e Lugina e Preshevës.
Lëndimet e rënda në aksidente për shkak të kushteve të këqija të rrugës kërkojnë përgjegjësi të menjëhershme nga qeveria.
Kërkesat për një rrugë të sigurt janë injoruar për një kohë të gjatë.
Qeveria nuk ka investuar më shumë në edukimin e shoferëve për rrezikshmërinë e rrugës Gl-Pr.
Shumë njerëz po humbin jetën ose po lëndohen për shkak të dështimeve në autostradë dhe urën e Badovcit.
Politikat e qeverisë duhen të përqendrohen në përmirësimin e sigurisë rrugore, në vend që të zvarrisin projekte të rëndësishme si autostrada.
Edhe rruga Gjilan-Ferizaj, përkundër një asfaltimi të ri, menjëherë është bërë me gropa dhe është pranuar projekti pa monitorim e inspektim të duhur.
Hyrje-daljet e Gjilanit u vonuan tejmase, duke dëmtuar bizneset dhe të gjithë të tjerët.
Stadiumi i Gjilanit, pavarësisht prokurimit, merr faj Qeveria bashkë me komunën e Gjilanit.
Ka shumë gjasa që Albin Kurti sikur me rivalët e tjerë brenda partisë, edhe Alban Hysenin, fshehtas, ka dashur ta diskreditojë e të mos e mbështesë seriozisht, veçmas kur një publicist, sapo fitoi Hyseni, në entuziazëm i tha: – Ti je edhe për kryeministër! Dhe kjo nuk ka mbetur pa i kaluar nëpër veshin e tij, edhe Kurtit. Ai nuk do mbi të askë tjetër, madje as kur i afrohet dikush atij si figurë politike brenda partisë. Pavarësisht zotimit multimilionësh, ia ka zvarritur projektet e mëdha, pavarësisht se edhe Hyseni nuk ka qenë figurë e fuqishme në nivel qendror për t’i imponuar më zëshëm projektet e tij e për t’i përshpejtuar.
Gjilanasit më 9 shkurt 2025, kanë të drejtë të mllefosen në kutitë e votimeve. Pasi nuk po protestojnë, bile të votojnë me zemërim e ndëshkim elektoral për zvarritjen e tepruar të investimeve kapitale.