Shkruan Agron Islami:
(Për të gjithë ata që duan ta dinë ditën e plagosjes së Rrahim Beqirit – Rokut dhe si ngjau ajo)
23 korrik, viti 2001. Ditë e hënë. Mot i ftohtë. Në shpirt dhe në trup. Ora shënon 11 e pak tepër. Gjithçka, edhe ajri, pemët, edhe shpendët, kanë ftohtë. Ja! Bam! U hapën krismat mes ushtarëve të ushtrisë çlirimtare dhe atyre sllavo-maqedonase. Njerëz që lëvizin aty këtu, në lagje dhe qytet, dikush në këmbë, dikush me biçikletë e veturë, shpërndahen fill, si mizat, si ata që ikin nga shiu i rrëmbyeshëm. Luftimet e saponisura këtë ditë, nuk ngjasojnë me ato të ditëve të tjera. Ato kanë nisur hovshëm. Shtyllat elektrike bien përdhé. Për pak minuta, jo vetëm lagja Drenovec, lagje periferike e Tetovës, por tërë qyteti i Tetovës u boshatis.
Një ushtar në xhamin e dritares thirri: “Nëse jeni brenda, mos dilni jashtë!” Për disa minuta katër, pesë hyri Rrahim Beqiri – komandant Roku – me ushtarë, nga shoqëruesit më të shpeshtë të tij. Pasi u shtrua buka me të shpejtë, (e cila qe gati) sa për të shuar pakëz urinë, Rrahim Beqiri kafshon një a dy herë bukën, dhe e pin më shumë ujin e ftohtë.
Në flakë të luftës nxeh’ Korriku
e pjek’ grurin poshtë në rrafsh
asnjë hap më tej armiku
nuk i ngjitet Sharrit Plak.
Ndërkohë që dikush prej ushtarëve po han, siç mundej, e dikush gjendej në rrjedha të luftimeve, Rrahim Beqiri mban kontaktin përmjet motorolës, me njërin prej ushtarëve (pa i përmendur emrin) i cili gjendej qindra metra larg nesh, për t’ia shenjëzuar vendin e stacionit policor, rrethuar me shumë autoblindë ushtarakë, prej nga vinte gjuajtja më e madhe, kështu, për t’u hapur më tej porta e marshimit drejt qytetit, ku përfundimisht, për të ngritur flamurin, kuq e zi, në njërin prej objekteve më të mëdha të sheshit të Tetovës. (Ëndërr kjo e Rokut). Shtëpitë e fqinjëve kanë marrë flakë, për pasojë, strehohen në podrumin e shtëpisë tonë. Ngase lidhja mes Rokut dhe ushtarit po bëhet e vështirë, për shkak të humbjes së valëve, Rrahim Beqiri ngritet dhe ngjitet shkallëve, te dera që të çon në oborr. Piskamat shpuese e ankthndjellëse të snajperëve, breshëria e parreshtur e automatikëve, mitralozëve të rëndë, granatimeve janë ato që po mbizotërojnë hapësirën. Njerëzit lëvizin nëpër dhoma. Njëri kërcet gishtat, tjetri qan djegien shtëpisë. Duke mbajtur lidhjen dhe gjetjen e valëve, në çast, për pak, dëgjohet një gjëmim i madh e mbytës, te dera ku Roku rri në këmbë. Vendi u mbulua nga një tym i dendur. Për disa çaste tymi u davarit dhe ja, Roku u lëshua, në vend, si një trup që e lëshon shpirti. Predha e nisur nga një anë e papërcaktuar, ndalon në pemën degëmëdha që gjendet tri, katër metra para Rokut, e spërkalat e saj, që ngjajnë me gjilpërëza, prekin në trupin e tij! Ushtarët dhe të tjerë turren për ta kapur dhe për ta zbritur te vendi ku ishim të gjithë. Po përpiqen t’ia zbërthejnë kopsat e këmishës së ushtarit dhe për ta ndihmuar me ndihmën e çastit, por asnjëri s’e kuptoi ç’ndodhi. Rrëmujë. Roku nuk ka vetëdije. Ka një vrimë në kraharor, aty, afër zemrës. Zjarri kuq e zi që u shkon shtëpive të tjera në lagje dhe valon si një flamur i madh në qiell, të bën të të duket sikur je në bërjen e një filmi artistik. Në motorol dëgjohet zëri “Roki, Roki përgjigju…” dikush prej ushtarëve merr motorolën dhe ia kthen “Roku është plagosur rëndë!” Tronditje. Roku u përmend, dhe fjala e parë që nxjerr është: “Ah, nuk kam me mujt me përdor më kallashnikun!” dikush prej ushtarëve ia kthen “Hajt bre burrë se e përdorim ne në vend teje”. Humbet vetëdijen prapë. Ia lagin buzët, fytyrën, e ai herë pas here nxjerr ofshama, shpirtkëputëse të një ushtari, komandanti, luftëtari të paepur, stoiku, qëllimqarti për çështjen e kahmotshme shqiptare. Brenda nesh heshtje, jashtë dasmë. Lufta është e keqe, prandaj, ajo asnjëherë nuk vjen për hir të vetes, por për hir të së kundërtës. Pushim. Sugjerim.
***
Duhet përshpejtuar procesi. Rokut duhet t’i jipet ndihma sa më parë. Nga cila anë mund ta nxjerrim? Dritaret kanë hekura, dera e vetme është dalluar tanimë. Hoqëm mbulojat e divaneve për ta mbështjellur me to trupin e tij. Pa një pa dy, duhej vendosur. “Kapeni!” dikush thirri, e Roku me zërin e ngjirur, bëhet prapë i gjallë dhe thotë: “Oh, m’lëshoni bre, se m’doket ktu’ po do mem dal’ shpirti.” Është e vetmja herë kur ushtarët nuk i binden atij. Ata e kapin. Ata dalin vetëtimthi, si fishek nga dera. Nga mbrapa shtëpisë, dhe tek tjetra, dhe tek tjetra, kështu, për t’u ngjitur në veturën që po i pret, për ta nisur sakaq në spitalin e ushtarëve, në fshatin Poroj, 15 minuta larg.
Ora shënon 13.
Luftimet kanë arritur kulmin më të paparë. Tetova po çmendet. Ajo duhet të çmendet, që të mos çmendet. Të plagosur, të vrarë… po vijnë lajme. Sistemi nervor i një dymbëdhjetë vjeçari është në tension, organik, por zemra e tij rrah fortë në kraharor nga ndjenja të përziera të subkoshiencës: krenarisë.
Ora 20. Pushojnë luftimet.
Kalojnë kolonat amerikane.
Ngadalë njerëzit po i braktisin me valixhet e strajcat në shpinë, shtëpitë, mallin, lagjen, pa e ditur ç’do bëhet në vijim.
Rokut i jipet ndihma e shpejtë.
Të nesërmen, ai niset për në spitalin e Prishtinës:
Sikur Gjergji me nëntë plagë
E vë kokën n’prehën t’nanës
Të kam thanë kthehem i gjallë
Në kulashtën e Dardanës.
Pas 8 ditëve, në vendin ku qemë zhvendosur, erdhi lajmi se Rrahim Beqiri, ka ndërruar jetë. Na shprehën dhe shprehëm ngushëllime.
E di nanë se t’ka marrë malli
Sot n’Dardan po të kthehet djali
Pasha ty, Preshevë, Kosovë
Gjysma e zemrës m’mbet n’Tetovë.
Lamtumirë Tetovë besnike
E ju vllázën tetovarë
Se kush bie për këtë tokë
Nuk ka vdekur, por është gjallë.
(Vargjet janë pjesë këngësh të këngëtarëve Ilir Shaqirit dhe Mahmut Feratit)