Komuna e Gjilanit, përkatësisht Klubi Rotarian “Gjilani”, ka qenë nikoqir i Seminarit treditor të rotarianëve të Distriktit Kosovë – Shqipëri (D2485), ku janë mbajtur trajnime për anëtarësi, Fondacionin rotari si dhe për imazhin publik.
Në Ditën e parë të trajnimit, përfaqësuesit e rotarianëve nga Kosova e Shqipëria, që tashmë veprojnë si një Distrikt (D2485), fillimisht janë pritur dhe përgëzuar për punën e tyre, nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorë.
Në selinë e kreut të komunës, rotarianët e pranishëm, të prirë nga PDG Radu Popescu – përfaqësues i presidentit të Rotary Ndërkombëtar (RI) që vjen nga Rumania, Alfons Hani dhe Skender Garori (Shqipëri), Ismajl Baftijari, Fleta Baraku, Fadil Rrahmani e rotarianë të tjerë (Kosovë), janë pritur ngrohtësisht nga z. Hyseni, i cili i ka përgëzuar rotarianët për angazhimin e deritanishëm në të mirë të komunitetit, jo vetëm në Gjilan, por edhe më gjerë.
Kryetari Hyseni ka përgëzuar RC Gjilanin që si nikoqir i këtij seminari mblodhi këtu rotarianë nga Kosova e Shqipëria dhe vlerësoi edhe praninë e z. Radu Popescu si përfaqësues i RI-së.
Ai ka përmendur projekte të realizuara nga rotarianët edhe në komunën e Gjilanit duke përfshirë edhe ato që janë bërë në bashkëpunim me komunën. E në këtë vazhdë të partneritetit, Hyseni ka përmendur marrëveshjen e mirëkuptimit që tani ai në emër të Komunës dhe kryetari i RC Gjilanit, Fadil Rrahmani, e kanë nënshkruar, e që i hap rrugë bashkëpunimit të mëtutjeshëm dhe realizimit të projekteve të ndryshme në të mirë të komunës dhe qytetarëve të saj.
Kryetari Hyseni vlerësoi angazhimin rotarianë në përgjithësi duke e falënderuar z. Popescu edhe për angazhimet e Rotarit Ndërkombëtar, ndërsa ka premtuar se në fushat e interesit të përbashkët, bashkëpunimi Komunë – Rotari, jo vetëm që do të vazhdojë, por edhe do të thellohet.
Ndërsa, PDG Radu Popescu – përfaqësues i presidentit të Rotary Ndërkombëtar (RI), në fjalën e tij ka thënë se e vlerëson shumë Komunën e Gjilanit dhe kryetarin e saj, z. Hyseni që ofron partneritet të sinqertë me Rotari, ndërsa marrëveshja e mirëkuptimit që e ka Gjilani si komunë me RC Gjilanin, do të duhej të ishte model jo vetëm për komunat tjera, por edhe për klubet rotariane në vendet tjera.
Komuna e Gjilanit, në respekt të rotarianëve, i ka ftuar ata për vizitë edhe të ekspozita personale e Gëzim Brestovcit, e hapur në Galerinë e Arteve në Gjilan, ku z. Popescu, por edhe rotarianët tjera kanë qenë të fascionuar me punën e artistit gjilanas, ku u diskutua për mundësinë që përmes rotarianëve, artistët gjilanas, të performojnë me veprat e tyre, në qytetet e Shqipërisë dhe anasjelltas, për çka u dakordua që të vazhdohet në realizimin e synimeve të tilla.
Përndryshe, një delegacion i rotarianëve të Kosovës e Shqipërisë, prirë nga PDG Radu Popescu, ka bërë homazhe edhe te varri i Naim Shaqirit, një ish rotariani të devotshëm, që ka ndërruar jetë, e që kishte punuar me përkushtim të pashoq në jetësimin e një Distriktit shqipfolës, e që tani u bë realitet.