Sot në Roganë të Kamenicës u mbajt me dinjitet të lartë ceremonia e zbulimit të busteve të heronjve Metush Krasniqi dhe Sejdi Kryeziu, në nderim të jetës dhe veprës së tyre në shërbim të lirisë dhe atdheut.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, e shoqëruar me fjalime rasti nga përfaqësues institucionalë dhe familjarë. Të pranishmëve iu drejtuan me mesazhe përkujtimore dhe frymëzuese znj. Arta Bajralija, Nënkryetare e Komunës, z. Shefik Sadiku, Kryetar i Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë, si dhe znj. Teuta Krasniqi dhe znj. Emira Kryeziu, të cilat ndanë kujtime dhe vlerësime për figurat e nderuara.
Programi artistik i realizuar nga nxënësit e shkollave tona, me interpretimin e këngës “Pa bashkim nuk ka fuqi” dhe recitimin “Jam Shqiptar e Kosovar”, i dha ceremonisë një dimension të veçantë emocional dhe edukativ.
Në përmbyllje të aktivitetit u bë zbulimi i busteve, si dhe vendosja e kurorave me lule në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të përhershme.

